Teksa Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimet se Presidenti amerikan ishte shtruar ditën e djeshme në spital, vetë Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar shkatërrimin e gjithë urave dhe infrastrukturës energjitike të vendit, nëse Kanali i Hormuzit nuk hapet deri të martën.
“E marta do të jetë dita e urave dhe infrastrukturës energjetike në Iran, të gjitha në një. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticat e mallkuara, ju kopilë të çmendur, ose do të shkoni në ferr, DO ta SHIKONI! Falënderimi i qoftë Allahut”, ka paralajmëruar Trump.
Kreu i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i është përgjigjur drejtpërdrejt presidentit amerikan me një mesazh të fortë në rrjetet sociale.
“Veprimet e tua të pamenduara po i çojnë Shtetet e Bashkuara në një ferr të vërtetë për çdo familje, dhe i gjithë rajoni ynë do të digjet”, shkroi ai.
Dhe ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po hyn në ditën e 37-të, Irani dhe Omani po negociojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Omanit.
“Dje, Sulltanati i Omanit dhe Republika Islamike e Iranit zhvilluan një takim në nivelin e nënsekretarëve të ministrive të jashtme të të dy vendeve, gjatë të cilit u diskutuan opsionet e mundshme për të siguruar tranzit të qetë përmes Ngushticës së Hormuzit në rrethanat aktuale në rajon.Gjatë takimit, ekspertë nga të dyja palët paraqitën një sërë vizionesh dhe propozimesh që do të studiohen“, thuhet në deklaratë.
Po ashtu ditën e sotme, forcat speciale amerikane kanë njoftuar se kanë gjetur pilotin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të një F-15 të premten. Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe anëtarë të lartë të stafit të tij ndoqën operacionet e shpëtimit. Trump ka njoftuar se piloti gëzon shëndet të plotë dhe i quajti operacionet e shpëtimet si një nga më të guximshmet në historinë e SHBA-së.
Ushtria amerikane ka dërguar dhjetëra avionë, të armatosur me armët më vdekjeprurëse në botë, për ta gjetur atë. Jam i lumtur të raportoj se ai është shëndoshë e mirë. Shpëtimi, i atribuohet suksesit të djeshëm me gjetjen e një piloti tjetër të guximshëm, një lajm që nuk e konfirmuam menjëherë, në mënyrë që të mos rrezikohej suksesi i operacionit tonë të dytë të shpëtimit”, tha Trump në Truth.
Por Pasdaran pretendon se ka shkatërruar një nga avionët që ka marrë pjesë në operacionin e shpëtimit.
“Një avion armik amerikan që kërkonte pilotin e rrëzuar u shkatërrua në rajonin jugor të Isfahanit”, njoftuan Garda Revolucionare.
Ushtria izraelite nga ana tjetër ka deklaruar se ka nisur sulme të reja ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në Bejrut. Po ashtu, grupi i mbështetur nga Irani, Hezbollah, thotë se ka lëshuar raketa drejt Izraelit verior, të cilat IDF pretendon se i ka kapur.
Ndërkohë, organizata e vendeve eksportuese të naftës dhe aleatët e saj (OPEC+) kanë vendosur të rrisin prodhimin me 206 mijë fuçi në ditë duke nisur nga muaji maj. Vendimi u mor nga tetë vendet kryesore prodhuese, por zbatimi i tij mbetet i pasigurt për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.



