Universiteti i Harvardit ka fituar një betejë të rëndësishme ligjore kundër administratës Trump, pasi një gjykatë federale urdhëroi zhbllokimin e mbi 2 miliardë dollarëve fonde kërkimore, të cilat ishin ngrirë në prill si pjesë e një fushate të qeverisë ndaj institucioneve akademike.
Vendimi u dha të mërkurën nga gjykatësja e Gjykatës së Qarkut, Allison Burroughs, e cila vlerësoi se bllokimi i fondeve ishte një veprim ideologjik i pajustifikuar, që përdorte antisemitizmin si pretekst për të ndëshkuar universitetet elitare. Ajo kritikoi administratën për shpërfillje të të drejtave kushtetuese dhe ligjeve federale, ndërsa theksoi se mungesa e hetimeve dhe lidhjeve konkrete me projekte kërkimore e bën vendimin e Shtëpisë së Bardhë të pajustifikueshëm.
Në fokus të fondit të ngrirë ishin projekte shkencore me rëndësi jetike, si kërkimet për parandalimin e vetëvrasjeve mes veteranëve, sëmundja ALS, teknologji për astronautët dhe kërcënimet biologjike.
Vendimi i gjykatës është konsideruar një triumf për Harvardin, i cili ka qenë universiteti i vetëm që zgjodhi të përballet ligjërisht me Shtëpinë e Bardhë. Por tensionet mes palëve nuk janë mbyllur administrata Trump ka paralajmëruar apelimin e vendimit.
“Gjykatësja e emëruar nga Obama kishte një axhendë të qartë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, duke akuzuar Harvardin për dështim në mbrojtjen e studentëve hebrenj. Ndërkohë, presidenti i universitetit, Alan Garber, deklaroi se ky vendim mbron lirinë akademike dhe integritetin e kërkimit shkencor.
Ndërsa Harvard zgjodhi betejën ligjore, shumë universitete të tjera amerikane kanë preferuar të negociojnë. Columbia University ka pranuar të paguajë 200 milionë dollarë për të zhbllokuar fondet, ndërsa Brown University ka paguar 50 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje me administratën.
Bisedimet vazhdojnë edhe me universitete të tjera, ndërsa administrata Trump kërkon shuma të mëdha dhe po përdor presion përmes çështjeve të pronësisë intelektuale dhe patentave.
Ndërkohë, Harvard vazhdon të përballet me sfida të reja ligjore, përfshirë një tjetër padi për të drejtën për të pranuar studentë ndërkombëtarë një tjetër betejë që universiteti e ka fituar deri më tani.
Situata mbetet e tensionuar, dhe pritet që zhvillimet e ardhshme të ndikojnë jo vetëm Harvardin, por të gjithë sistemin e arsimit të lartë amerikan.