Rrethprerja


Disa organizata të hebrenjve dhe myslimanëve zhvilluan një protestë të përbashkët në Berlin kundër vendimit të një gjykate që ndalon rrethprerjen te fëmijët si dhunë fizike pa leje. Protesta u organizua pas një lajmi ku thuhej se një rabin qe vënë nën hetim në Bavari për kryerjen e një rrethprerjeje. Një gjykatë në Këln ndaloi rrethprerjen qershorin e kaluar. Ndërkohë, qeveria e Gjermanisë ka njoftuar se do të vendosë një ligj për ta legalizuar praktikën në mënyrë të prerë. Rreth 1 mijë vetë dolën në protestë për të dëgjuar fjalimet nga rabini i Berlinit dhe udhëheqës të tjerë fetarë.


“Jam këtu për të protestuar për lirinë e besimit”, tha një nga protestueset. Gjykata në Këln deklaroi se rrethprerja rituale e një fëmije mysliman në përputhje me vendimin e prindërve, i ka shkaktuar atij dëmtim fizik.


Shoqata Mjekësore e Gjermanisë i tha pas kësaj doktorëve në të gjithë vendin të mos kryejnë më rrethprerje. Si myslimanët, ashtu edhe hebrenjtë, besojnë se vendimi i gjykatës mund të përdoret për të sulmuar besimet e tyre fetare. Të mërkurën, qeveria në Berlin deklaroi se rrethprerja është e ligjshme për sa kohë kryhet në përputhje me praktikat e mira mjekësore. Ndoshta nën presion ndërkombëtar, Berlini njoftoi se do ta legalizojë praktikën me një ligj të veçantë. Debati është hapur edhe në SHBA, ku praktika është shumë e përhapur. Muajin e Kaluar, Akademia Amerikane e Pediatërve publikoi një studim mbi rrethprerjen, ku tha në mënyrë eksplicite se “përfitimet shëndetësore të foshnjave meshkuj të sapolindur janë më të mëdha se sa rreziqet e procedurës”.


Megjithatë, shoqata tha se nuk e rekomandonte procedurën për të gjithë foshnjat, duke argumentuar se vendimi i takon prindërve në konsultë me mjekët.