Dy vite nga vdekja e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, Britania e Madhe dhe disa vende evropiane kanë deklaruar se ai është vrarë me një helm të sofistikuar, të zhvilluar nga një toksinë e njohur si epibatidine, e cila gjendet natyrshëm tek disa lloje bretkosash helmuese në Amerikën e Jugut.

Deklarata u bë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih nga Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e cila theksoi se vetëm qeveria ruse kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse kundër Navalnyt gjatë burgimit të tij në Rusi.

Mediat e huaja raportojnë se helmi – i përshkruar si “një nga më vdekjeprurësit në tokë” – është 200 herë më i fortë se morfina. Shkakton paralizë, vështirësi në frymëmarrje dhe vdekje. Sipas analizave të materialeve biologjike të marra nga trupi i Navalnyt, është zbuluar prania e epibatidinës, një substancë shumë e rrezikshme që nuk gjendet natyrshëm në Rusi. 

Ministria e Jashtme britanike njoftoi se e ka informuar Organisation for the Prohibition of Chemical Weapons për një shkelje të mundshme të Konventës për Armët Kimike nga ana e Rusisë.

Navalny, një aktivist i njohur kundër korrupsionit dhe kritiku më i zëshëm i Kremlinit, vdiq më 16 shkurt 2024 në një burg në Siberi, në moshën 47-vjeçare. Sipas autoriteteve ruse, ai ishte ndier keq pas një shëtitjeje të shkurtër në burg dhe më pas ishte rrëzuar pa ndjenja, duke mos u zgjuar më.

Megjithatë, bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya, ka deklaruar vazhdimisht se ai është helmuar. Ajo tha se analiza laboratorike e mostrave biologjike të nxjerra fshehurazi nga burgu dhe të testuara në dy vende të ndryshme konfirmon se ai është vrarë. Pas njoftimit të fundit nga vendet evropiane, ajo u shpreh se tashmë ka prova për helmimin dhe falënderoi shtetet për punën dyvjeçare në zbardhjen e së vërtetës.