Një gjykatë në lindje të Francës dënoi me burgim të përjetshëm një ish-anesteziolog, pasi u shpall fajtor për helmimin e 30 pacientëve, nga të cilët 12 humbën jetën. Vendimi ndaj 53-vjeçarit Frédéric Péchier u dha pas 15 javësh seancash gjyqësore intensive.

Procesi i vendimmarrjes zgjati tre ditë, pasi gjykata duhej të shqyrtonte veçmas secilin nga 30 rastet e helmimit; 12 me pasojë vdekjen dhe 18 të tjerë ku pacientët mbijetuan. Ngjarjet kanë ndodhur mes viteve 2008 dhe 2017 në dy klinika private në qytetin Besançon, ku viktimat ishin pacientë të moshave nga 4 deri në 89 vjeç.

Sipas prokurorisë, Péchier kishte kontaminuar qeset e infuzionit me substanca si kalium, anestetikë lokalë, adrenalinë dhe heparinë, duke shkaktuar arrest kardiak ose hemorragji te pacientët që trajtoheshin nga kolegët e tij. Megjithëse ai e mohoi vazhdimisht këtë version, në fillim të gjyqit Péchier pranoi se një helmues kishte vepruar në njërën prej klinikave ku punonte, por këmbënguli se nuk ishte ai përgjegjësi.