Një histori e errët xhelozie dhe tradhtie në SHBA përfundoi me një dënim të përjetshëm për 67-vjeçaren Judy Church, e shpallur fajtore për vrasjen e partnerit të saj afatgjatë, Leroy Fowler.
Sipas autoriteteve, marrëdhënia mes çiftit kishte hyrë prej kohësh në krizë, kryesisht për shkak të lidhjes që Fowler kishte krijuar paralelisht me një grua tjetër, Barbara Randall. Edhe pse ishte në dijeni të tradhtisë, Church nuk e kishte pranuar fundin e lidhjes dhe besohet se tensionet mes tyre ishin shtuar vazhdimisht.
Ngjarja tragjike ndodhi më 11 nëntor 2022, pikërisht në ditën kur Fowler festonte 55-vjetorin. Hetimet zbuluan se ai kishte konsumuar një pije ku dyshohet se ishte hedhur antifriz, substancë tepër toksike për organizmin.
Në telefonatën drejtuar urgjencës, Church deklaroi se partneri i saj ishte në gjendje kritike, me gjakderdhje nga hunda dhe vështirësi për të qëndruar në këmbë. Mjekët konfirmuan më pas se Fowler kishte pësuar helmim të rëndë, i cili shkaktoi dëmtime fatale në organet e brendshme.
Dyshimet ndaj 67-vjeçares u shtuan shpejt, jo vetëm për shkak të konflikteve në çift, por edhe pas provave të gjetura në banesë, ku hetuesit zbuluan gjurmë antifrizi dhe materiale të lidhura me substancën helmuese.
Gjatë gjyqit, prokuroria paraqiti mesazhe dhe komunikime personale ku Church shfaqte zemërim të fortë ndaj partnerit, duke e akuzuar për tradhti dhe mashtrim. Një ndër provat më tronditëse ishte edhe një video e regjistruar në momentet kur Fowler ndodhej në gjendje të rëndë, ku sipas hetuesve dëgjohej një koment ironik nga e pandehura ndërsa ai kërkonte ndihmë.
Prokurorët e përshkruan çështjen si një krim të nxitur nga xhelozia dhe konfliktet emocionale, duke theksuar se Church jo vetëm dyshohet se helmoi partnerin, por edhe nuk reagoi në kohë për t’i shpëtuar jetën.
Gjykata mori në konsideratë edhe deklarata të mëparshme kërcënuese ndaj viktimës, të cilat u përdorën si pjesë e dosjes penale.
Në mars të këtij viti, Judy Church u shpall fajtore për vrasje me paramendim dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi.
