Një punonjëse e cila u filmua duke ngrënë një copë djathë gjatë orarit të punës në departamentin e ushqimeve të gatshme është shkarkuar nga puna.

Madje edhe Gjykata Supreme e Katalonjës ka vendosur në favor të shkarkimit disiplinor të punonjëses të një zinxhiri të madh supermarketesh.

Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ndodhi më 5 qershor të vitit 2023, kur punonjësja, ndërsa po përgatiste një porosi për një kliente, peshoi një fetë djathi dhe më pas mori një copë nga një enë tjetër, e konsumoi dhe preu një pjesë shtesë nga feta që duhej dorëzuar.

E gjithë situata u regjistrua nga kamerat e sigurisë, të cilat – sipas vendimit – ishin të dukshme dhe të njohura për stafin.

Ndërkohë në shkallën e parë, Gjykata e Punës në Terrassa e konsideroi shkarkimin të padrejtë, duke urdhëruar rikthimin e punonjëses ose kompensimin prej 875.33 eurosh. Por kompania apeloi vendimin, duke argumentuar se veprimi përbënte shkelje serioze të rregullave të brendshme.

TSJ Katalonja e rrëzoi vendimin e mëparshëm, duke e cilësuar incidentin si arsye të mjaftueshme për masë disiplinore dhe duke konfirmuar ligjshmërinë e shkarkimit nga puna.