Ish-presidenti amerikan Joe Biden është parë për herë të parë në publik që nga nisja e radioterapisë për kancerin e prostatës. 82-vjeçari mori pjesë në Meshën e mbrëmjes në kishën katolike të Shën Jozefit në Brandywine, e cila ka qenë vendi i tij i përhershëm i adhurimit për shumë vite.

Sipas New York Post, Biden u fotografua duke dalë ngadalë nga shërbesa njëorëshe, ndërsa mbante dorën e një gruaje për mbështetje fizike. Kjo ishte dalja e tij e parë publike që prej njoftimit se ai kishte filluar një trajtim pesë-javor me rrezatim dhe terapi hormonale për kancerin e prostatës në fazën e katërt, i cili është përhapur në kocka.

Zëdhënës të tij bënë të ditur se trajtime të tilla do të zgjasin rreth pesë javë, ndërsa mjekët e kanë përshkruar sëmundjen si të gradës së lartë. Përveç kësaj, Biden ka pasur më herët dy ndërhyrje për heqjen e lezioneve të lëkurës nga balli, të cilat i kanë lënë një shenjë të dukshme.

Në vitin 2023, ai iu nënshtrua edhe heqjes së një tumori kanceroz në gjoks, ndërsa mjekët konfirmuan se procedurat ishin të suksesshme dhe nuk kërkonin trajtime të tjera.

Shëndeti dhe mosha e Joe Biden kanë qenë në qendër të debatit politik gjatë vitit të fundit të mandatit të tij, me shumë diskutime mbi aftësinë e tij për të vazhduar angazhimet publike në kushtet aktuale shëndetësore.