Një roje plazhi 16-vjeçar është kthyer në hero në Kaliforni pasi shpëtoi një djalë 10-vjeçar nga dallgët e fuqishme në plazhin shtetëror Seabright në Santa Cruz.

Veprimi i tij i guximshëm ka tërhequr vëmendjen në të gjithë SHBA-në, ndërsa Presidenti Donald Trump ka njoftuar se do ta ftojë adoleshentin në Shtëpinë e Bardhë për ta nderuar.

Ryder Williams, i cili po punon për herë të parë si roje plazhi në Parqet Shtetërore të Kalifornisë, tha se nuk mendoi dy herë kur pa 10-vjeçarin Nathaniel Rai të rrëmbehej nga dallgët.

“Thjesht e dija se nuk do ta lija atë fëmijë të ikte. Ai do të mbytej dhe unë nuk do ta lejoja të ndodhte kjo”, u shpreh Williams.

Sipas tij, sapo vuri re se djali humbi ekuilibrin dhe u tërhoq drejt ujërave të thella, njoftoi me radio kolegët, hodhi pajisjet që e pengonin dhe u fut menjëherë në det për ta arritur.

Për shkak të dallgëve të forta, adoleshenti nuk arriti ta vendoste fëmijën mbi dërrasën e shpëtimit, ndërsa të dy u goditën disa herë nga valët. Pak më vonë, një tjetër roje plazhi, Aaron Bohnen, iu bashkua operacionit dhe së bashku arritën ta nxirrnin Nathanielin në breg në gjendje të sigurt.

Pas shpëtimit, 10-vjeçari mori ndihmën e parë dhe u kontrollua nga ekipet mjekësore, ndërsa Williams, pasi u sigurua se fëmija ishte jashtë rrezikut, u rikthye në kullën e vrojtimit për të përfunduar turnin e tij.

“Jam mirënjohës që pata mundësinë ta kthej fëmijën pranë familjes së tij shëndoshë e mirë. Kjo është puna ime dhe e dua atë që bëj”, deklaroi 16-vjeçari.

Autoritetet thanë se dita e ngjarjes ishte veçanërisht sfiduese për shkak të turmave të shumta dhe dallgëve të rrezikshme, ndërsa veprimet e shpejta të rojës së re të plazhit vlerësohen se ishin vendimtare për shpëtimin e jetës së fëmijës.