Tre persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje kritike, mbrëmjen e djeshme në Principatën e Monakos, si pasojë e një shpërthimi të shkaktuar nga një “akt i qëllimshëm”, njoftuan autoritetet.

Shpërthimi ndodhi në një pallat banimi në Rue du Reverend Pere Louis Frolla, pranë kufirit me Francën.

“Ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për një atentat”, deklaroi për AFP ministri i Shtetit (kryeministri) Christophe Mirmand. Mes të plagosurve ndodhen një çift rreth moshës 50-60 vjeç, të cilët janë në rrezik për jetën, si edhe një adoleshent 13-vjeçar, “me shumë gjasa i afërm i çiftit”, i cili ka marrë plagë më të lehta.

Sipas informacioneve të publikuara nga Le Figaro, të tre të plagosurit janë pjesëtarë të së njëjtës familje ukrainase të oligarkut nga Kievi, Vadim Ermolaev.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 në një ndërtesë banimi mes Boulevard d’Italie dhe Rue du Reverend Pere Louis Frolla, pranë kufirit me Francën. Brenda pajisjes shpërthyese janë gjetur bulona dhe sfera metalike.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Monakos, Stephane Thibault, një person kishte lënë një çantë ose një pako në hollin e ndërtesës përpara se të largohej. Autoritetet kanë publikuar edhe një fotografi të të dyshuarit. Në hetime është përfshirë Drejtoria Ndërrajonale e Policisë Gjyqësore të Alpes-Maritimes, ndërsa xhandarmëria është vendosur në hyrjet e autostradave. Në ndihmë janë dërguar edhe efektivë të BAC-së së Nicës, si dhe patrulla policie nga Nica dhe Mentoni.

“Atentati i kësaj mbrëmjeje është një tragjedi që ka goditur Monakon. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe popullin e Monakos”, shkroi në rrjetin X kryebashkiaku i Nicës, Eric Ciotti. “Shprehim mbështetjen tonë të plotë për forcat e sigurisë dhe shërbimet e emergjencës të angazhuara në terren.”

“Një krim i tmerrshëm”, “një tronditje për të gjithë komunitetin monegask”. Kështu e cilësoi ngjarjen në një deklaratë Princi Albert II i Monakos, duke komentuar plagosjen e oligarkut ukrainas Vadim Ermolaev dhe dy personave të tjerë pas shpërthimit të një mjeti eksploziv në mikro-shtet.

“Principata e Monakos do të mbetet e bashkuar dhe e vendosur përballë dhunës dhe kriminalitetit”, tha ai. “Siguria e komunitetit tonë ka qenë gjithmonë prioritet dhe do të vazhdojë të jetë e tillë, pavarësisht kërcënimeve.”

Sipas një burimi pranë hetimeve, Vadim Ermolaev, banues në Monako, është nën sanksione që prej dhjetorit 2023, pas një vendimi të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas disa mediave, që citojnë shërbimet sekrete ukrainase, këto sanksione lidhen me vendimin e multimilionerit për të vazhduar aktivitetin e tij në tregtinë e pijeve alkoolike në Krime, territor nën pushtimin rus.

Identiteti i viktimave nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e Monakos. Prokurori i Përgjithshëm Stephane Thibault pritet të mbajë gjatë ditës një konferencë për shtyp, sipas njoftimit të ministrit të Shtetit Christophe Mirmand.

Thibault deklaroi për AFP se pajisja shpërthyese ishte vendosur brenda një çante ose pakoje të lënë në hollin e ndërtesës, përpara se autori të largohej.

Rreth 50 zjarrfikës, mes tyre edhe rreth dhjetë përforcime nga Franca, u angazhuan për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Në të njëjtën kohë, 84 efektivë të sigurisë publike u vendosën për të siguruar zonën.

Sipas burimeve pranë ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nunez, “është nisur një operacion policor për të gjetur autorin, i cili ende ndodhet në arrati”. Sipas Mirmand, disa dëshmitarë kanë dhënë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij. I dyshuari është filmuar nga kamerat e sigurisë në Monako dhe Beausoleil, qyteti francez fqinj, ku dyshohet se ka kaluar në këmbë.