Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, është gjendur në qendër të polemikave pas paraqitjes së tij në ceremoninë hapëse të Kupës së Botës 2026, ndërsa kombëtarja kanadeze zhvillonte ndeshjen e saj të parë në turne.
Mungesa e tij në debutimin e Kanadasë nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët kritikuan ashpër vendimin e ish-liderit kanadez. Përballë reagimeve të shumta, Trudeau vendosi të sqarojë publikisht qëndrimin e tij përmes një mesazhi në platformën X.
“Ndonjëherë detyra e partnerit tënd të çon diku tjetër”, shkroi ai, duke nënvizuar se kjo nuk ndryshon mbështetjen e tij për përfaqësuesen kanadeze. Në fund të mesazhit, Trudeau theksoi se vazhdon të bëjë tifo për Kanadanë në garën më të madhe të futbollit, duke e shoqëruar postimin me flamurin kombëtar.
Ndërkohë, Kanadaja e nisi rrugëtimin e saj në Botëror me një barazim 1-1 ndaj Bosnjës, ndërsa më vonë gjatë mbrëmjes SHBA fitoi bindshëm 4-1 përballë Paraguait në ndeshjen e zhvilluar në Los Anxhelos.
Një nga momentet më të komentuara të ceremonisë së hapjes ishte performanca e Katy Perry, e cila interpretoi këngën “Wonder”, pjesë e albumit të saj të publikuar në vitin 2024. Pas performancës, kamerat kapën disa momente mes artistes dhe Trudeau, duke shtuar edhe më shumë interesin e publikut për çiftin.
Gjatë ndeshjes, të dy u panë në tribunat VIP të stadiumit, ndërsa ekranet gjigante i fokusuan disa herë duke ndjekur atmosferën festive të turneut. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u bënë objekt diskutimesh të shumta.
Një pjesë e komentuesve e akuzuan Trudeau për mungesë përkushtimi ndaj ekipit kombëtar, ndërsa të tjerë e konsideruan të tepruar reagimin publik, duke argumentuar se ishte normale që ai të mbështeste partneren e tij në një moment të rëndësishëm të karrierës së saj.
Debati nxori sërish në pah interesin e madh që vazhdon të shoqërojë marrëdhënien mes Trudeau dhe Katy Perry. Çifti mbetet një nga temat më të ndjekura nga mediat rozë dhe rrjetet sociale, ku çdo paraqitje e tyre publike vazhdon të gjenerojë reagime dhe komente të shumta.
