Vetëm 22 ditë pas vdekjes së djalit të tyre të adoptuar, 13-muajsh, Jamie Varley dhe partneri i tij John McGowan-Fazakerley, të cilët më vonë u shpallën fajtorë për vrasjen e fëmijës, shpenzuan rreth 450 mijë paund për të blerë një shtëpi të re, me synimin për të nisur një jetë të re së bashku.
Prona, një vilë e madhe e shkëputur me oborr të gjelbëruar, garazh të gjerë për automjete, ndodhet në rrugën Chandlers Way në fshatin Grimsargh, pranë Prestonit. Nga jashtë, ajo dukej si shtëpia ideale në një lagje të qetë rurale, e rrethuar nga fusha dhe gjelbërim.
Por pas kësaj fasade të qetë fshihej një histori tronditëse.
Sipas hetimeve, gjatë katër muajve të fundit të jetës së vogëlushit Preston Davey, çifti e kishte nënshtruar atë ndaj një serie abuzimesh fizike, seksuale dhe emocionale. Fëmija, i përshkruar si një djalë i bukur me flokë kaçurrela dhe një buzëqeshje të ndritshme, ndërroi jetë në spital më 27 korrik 2023.
Të enjten, Jamie Varley, 37 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi, ndërsa John McGowan-Fazakerley, 32 vjeç, mori një dënim prej 25 vitesh burg.
Varley, ish-mësues në një shkollë të mesme, u përshkrua nga hetuesit si “një gënjeshtar arrogant dhe egocentrik”. Ai pretendoi para policisë se Preston ishte mbytur aksidentalisht në vaskë, por autopsia zbuloi një realitet shumë më të errët: në trupin e foshnjës u konstatuan rreth 40 dëmtime traumatike.
Pas vdekjes së fëmijës, Varley u arrestua nën dyshimet për vrasje, mizori ndaj fëmijëve dhe abuzim seksual ndaj një të mituri nën 13 vjeç. Edhe partneri i tij u arrestua, i dyshuar për lejimin e vdekjes së fëmijës dhe neglizhencë të rëndë.
Megjithatë, pavarësisht se ndodheshin në qendër të një hetimi të rëndë kriminal, vetëm tre javë pas arrestimit, më 18 gusht 2023, çifti bleu shtëpinë e re me vlerë 449,995 paund. Për financimin e saj ata morën një kredi hipotekore dhe u transferuan në pronë po atë muaj.
Banorët e zonës kujtojnë se i panë të vendoseshin në lagje pa ditur se pas tyre fshihej një nga rastet më tronditëse të abuzimit ndaj fëmijëve që ka njohur Britania në vitet e fundit.
