Holanda ka vendosur të bëjë të ligjshme eutanazinë për fëmijët shumë të sëmurë të cilëve u ka mbetur pa mundësi trajtimi.

Ministri i Shëndetësisë, Ernst Kuipers, u tha parlamentarëve se donte të zgjeronte dhe rishikonte protokollin, deri tani i vlefshëm vetëm për të sapolindurit, për të mbuluar edhe fëmijët e moshës 12 vjeç e poshtë “të cilët vuajnë në mënyrë të padurueshme dhe për të cilët opsionet e kujdesit paliativ nuk janë të mjaftueshme për të lehtësuar simptomat”.

Sipas qeverisë holandeze, udhëzimet do të prekin nga 5 deri në 10 fëmijë në vit.

Mjekët holandezë kanë kërkuar për disa kohë që rregullat të mbulojnë edhe fëmijët nga mosha një deri në dymbëdhjetë vjeç.

Në fakt, ka udhëzime për të sapolindurit deri në 12 muaj, ndërsa ata mbi 12 mbulohen nga ligji për eutanazinë, i vlefshëm për të rriturit.

“Kjo është një çështje veçanërisht komplekse që përfshin situata shumë të dhimbshme,” tha Kuipers.

“Jam i kënaqur që, pas konsultimeve intensive me të gjitha palët e përfshira, kemi arritur një zgjidhje që do t’i ndihmojë këta fëmijë të sëmurë terminalë, prindërit e tyre dhe gjithashtu mjekët e tyre”.

Eutanazia do të jetë e mundur vetëm kur është e vetmja mundësi për t’i dhënë fund vuajtjeve të një fëmije.

“Po flasim për fëmijë që janë aq të sëmurë sa vdekja është e pashmangshme dhe ata pritet të vdesin së shpejti”, tha Kuipers në mbyllje të fjalës së tij.