merkel hollandePresidenti Hollande dhe Kancelarja Merkel dje diskutuan për sfidat e BE-së


Holanda i ka thënë “jo” nëpërmjet një referendumi propozimit që BE-ja të rrisë bashkëpunimin me Ukrainën. Shtetasit holandezë votuan ditën e mërkurë dhe rezultatet u bënë publike ditën e djeshme. Ndërkohë që për partinë e djathtë “Partia për Liri”, ky rezultat tregon fillimin e rënies së unionit. Pas rezultatit të referendumit, kanë reaguar Franca dhe Gjermania që kanë shfaqur mbështetjen ndaj marrëveshjes së BE-së për lidhje më të ngushta me Ukrainën. Presidenti francez, Francois Hollande, pati një takim me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe të dy i mëshuan faktit që akordi duhet të aplikohet në të dyja vendet. Takimi i zhvilluar në Metz, në lindje të Francës, pati në qendër të diskutimeve ekonominë europiane, evazionin fiskal, antiterrorizmin dhe krizën e refugjatëve. Të dy krerët e shteteve theksuan nevojën për të siguruar kufijtë e jashtëm të BE-së, por edhe nevojën për të rihapur kufijtë e brendshëm, pas mbylljes nga disa vende të unionit, si pasojë e krizës së emigrantëve. “Duhet t’u rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur procedurave të ‘Schengen’-it, ndërkohë që të garantojmë edhe rikthimin me dinjitet të atyre që nuk patën mundësi për t’u strehuar në Europë. Ky është edhe thelbi i asaj çfarë është arritur në akordin mes BE-së dhe Turqisë për emigrantët e ndodhur në Greqi”, tha Hollande gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Për arsye sigurie, po ashtu edhe për nevojën për të rifituar besimin e popujve, ne duhet të tregojmë se mundemi të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm. Siç mund ta shihni, territori i Europës është i ndryshëm. Në kuptimin që kufijtë detarë janë më të vështirë për t’u mbrojtur sesa kufijtë tokësorë, e prandaj nevojitet bashkëpunimi me fqinjët tanë. Kjo gjë aplikohet me Turqinë tashmë, si dhe duhet aplikuar edhe në rastin e Libisë”, deklaroi Merkel. Të dy drejtuesit e dy shteteve europiane konfirmuan edhe njëherë mbështetjen për qeverinë e re të unitetit të Libisë.