Ministria e Mbrojtjes e Holanda ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë një fushatë ushtarake “në shkallë të kufizuar” kundër vendeve anëtare të NATO pas përfundimit të luftës në Ukraina.

Në raportin vjetor për strategjinë e mbrojtjes, autoritetet holandeze theksojnë se Evropa ndodhet aktualisht në një “zonë gri” mes luftës dhe paqes, ndërsa paralajmërojnë për një përballje afatgjatë me Moskën.

Sipas shërbimeve të inteligjencës holandeze, në skenarin më të keq Rusia mund të jetë e gatshme të nisë një konflikt të kufizuar ndaj vendeve të NATO-s sapo të përfundojë lufta në Ukrainë.

Paralajmërimi vjen vetëm një javë përpara samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara, ku kërcënimi rus pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar më herët se Rusia “mund të jetë gati brenda pesë viteve të ardhshme” për një konflikt me aleancën ushtarake.

Përballë këtij skenari, Holanda ka bërë të ditur se do të shtojë investimet në mbrojtje, me fokus të veçantë te teknologjitë ushtarake pa pilot dhe sistemet e avancuara të dronëve.

Ministrja e Mbrojtjes, Dylan Yesilgoz, deklaroi se Evropa duhet të forcohet sa më shpejt për të garantuar sigurinë dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve.