Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë pasi tri motra të mitura janë gjetur të pajeta brenda një depoje uji në qytetin Kamareddy. Vajzat, të identifikuara si Shifaat, Aayat dhe Maryam, ishin vetëm 5, 7 dhe 8 vjeçe. Sipas raportimeve, ato kishin dalë nga shtëpia bashkë me babanë për të blerë ushqime të lehta, por nuk u kthyen më.

Pas disa orësh pritjeje dhe shqetësimi, familjarët njoftuan policinë, duke nisur një operacion kërkimi në zonë. Ekipet e kërkim-shpëtimit kontrolluan disa zona përpara se të bënin zbulimin tragjik.

Trupat e tre motrave u gjetën brenda një depoje uji, duke shkaktuar tronditje të madhe në komunitet dhe dhimbje të thellë te familjarët. Nëna e vajzave shpërtheu në lot kur trupat e tyre u nxorën nga rezervuari.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe dyshimet se babai i vajzave mund të ketë lidhje me vdekjen e tyre. Në të njëjtën ditë në të njëjtin qytet janë raportuar edhe dy djem të tjerë të zhdukur, ndërsa kërkimet për gjetjen e tyre vazhdojnë.