Një 23-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa vajza e saj vetëm 5 muajshe ndodhet në gjendje kritike, pas një ngjarjeje të rëndë në New York. Për krimin akuzohet partneri i viktimës, 31-vjeçari Angel Carrasco, i cili dyshohet se e shtyu të renë nga kati i 15-të i ndërtesës ku ajo banonte.
Viktima është identifikuar si Nathalie Ramirez. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat amerikane, ajo kishte pasur një konflikt me Carrascon përpara ngjarjes.
31-vjeçari raportohet se kishte shkuar në apartamentin e saj me një tufë lulesh, në përpjekje për të rregulluar marrëdhënien mes tyre.
Por takimi dyshohet se mori një kthesë tragjike pasi Ramirez nuk pranoi të pajtohej me të.
Hetuesit dyshojnë se Carrasco, pas refuzimit të 23-vjeçares, e shtyu atë nga kati i 15-të ndërsa e reja mbante në krahë foshnjën e çiftit.
Ramirez humbi jetën si pasojë e rënies. Vajza 5-muajshe, Angel Novelti Carrasco-Ramirez, mbijetoi, por raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetën.
Lulet që 31-vjeçari kishte marrë me vete për takimin u gjetën të lëna pas, ndërsa ai u arrestua pak kohë pas ngjarjes.
Gjatë paraqitjes së tij përpara autoriteteve të enjten, Carrasco u përball edhe me reagimin e personave të mbledhur jashtë. Sipas raportimeve, ai u shfaq duke buzëqeshur, ndërsa nga turma u dëgjuan thirrje kundër tij.
Hetimi ka nxjerrë ndërkohë në pah edhe një histori të mëparshme konfliktesh dhe akuzash për dhunë mes çiftit.
Vetëm gjatë vitit 2026, Carrasco ishte përballur me dy çështje të lidhura me episode të dyshuara dhune ndaj Ramirezit.
Rasti i parë ishte regjistruar më 5 janar. Sipas akuzës, gjatë një debati ai dyshohet se e kishte goditur të renë me shuplakë, duke i shkaktuar mavijosje. Konflikti raportohet se kishte nisur pasi Ramirez e kishte përballur për komunikimet e tij me një ish-partnere.
Vetëm tri ditë më vonë, 31-vjeçari u përfshi në një tjetër procedim të lidhur me dhunën në familje. Këtë herë ai dyshohej se kishte hyrë me forcë në apartamentin e Ramirezit dhe kishte qëndruar aty duke pritur kthimin e saj.
Në të kaluarën, Carrasco rezulton të jetë arrestuar edhe për çështje të tjera. Në vitin 2016 ai ishte ndaluar në dy raste të veçanta, një herë lidhur me përdorimin e një identiteti të rremë dhe një herë për posedim marijuane.
Tashmë 31-vjeçari përballet me akuzën për vrasjen e Nathalie Ramirez, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të rindërtuar të gjithë dinamikën që çoi në tragjedi.
Në të njëjtën kohë, vëmendja mbetet te gjendja e foshnjës 5-muajshe, e cila mbijetoi rënien nga ndërtesa dhe vazhdon të marrë trajtim mjekësor.
