Një ngjarje e rëndë ka tronditur Belfastin Verior, ku një burrë 30-vjeçar është akuzuar për tentativë vrasjeje pas një sulmi brutal me thikë ndaj një 44-vjeçari, i cili mbeti me plagë të rënda në sy, qafë dhe shpinë.
Sulmi ndodhi mbrëmjen e 8 qershorit në zonën e Kinnaird Avenue. Sipas policisë, oficerët mbërritën në vendngjarje rreth orës 22:30 pas raportimeve për një incident të rëndë me armë të ftohtë. Viktima u gjet e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku vijon të marrë trajtim mjekësor.
Pamjet e shpërndara në internet tregojnë momentet dramatike të sulmit, ku i dyshuari shihet duke goditur viktimën me thikë në zonën e qafës dhe fytyrës, ndërsa kalimtarët të alarmuar dëgjohen duke bërtitur dhe duke kërkuar që ai të ndalonte. Dëshmitarët në vendngjarje raportuan se agresori dukej i vendosur të shkaktonte dëmtime fatale.
Në momentet kritike, një banor i zonës, Maitiu Mág Tighearnán, i njohur si Matt, ndërhyri së bashku me dy persona të tjerë për të ndaluar sulmin. Ai mori një shkop druri hurley, i përdorur në sportin tradicional irlandez të hurlingut, dhe u përball me agresorin. Pamjet filmike tregojnë Matt-in duke e goditur dhe larguar të dyshuarin nga viktima, duke i dhënë fund sulmit pak para mbërritjes së policisë.
Sipas autoriteteve, 30-vjeçari përballet me akuza për tentativë vrasjeje, posedim të një objekti me teh në një vend publik dhe kërcënime për vrasje. Ai pritet të dalë para Gjykatës së Magjistraturës në Belfast për t’u njohur me masat ligjore ndaj tij.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe është dënuar nga figura politike lokale, të cilat e kanë cilësuar sulmin si një akt barbar dhe tronditës. Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e incidentit.
