Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Tenerife Sur Airport, ku një burrë 80-vjeçar është ndaluar nga autoritetet teksa tentonte të hipte në një fluturim me bashkëshorten e tij të pajetë, të ulur në një karrocë invalidi. Stafi i sigurisë dyshoi se diçka nuk shkonte gjatë kontrollit, pasi gruaja nuk reagonte. Kur një punonjëse i preku dorën, vuri re se temperatura e trupit ishte shumë e ulët dhe se ajo nuk po merrte frymë, duke ngritur menjëherë alarmin.
Protokolli i emergjencës u aktivizua brenda pak minutash dhe në vendngjarje mbërritën forcat e sigurisë, shërbimet mjekësore dhe oficerë të Gardës Civile. Pas verifikimeve, u konstatua se gruaja kishte ndërruar jetë disa orë më parë.
Burri, pretendoi se bashkëshortja kishte vdekur brenda ambienteve të aeroportit dhe fajësoi shërbimet aeroportuale për ngjarjen. Megjithatë, autoritetet e arrestuan në vend dhe kanë hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.



