Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lagjen Neos Kosmos të Athinës, ku policia ka hasur një skenë makabre brenda një apartamenti.

Një burrë 64-vjeçar dhe partnerja e tij u gjetën të pajetë, ndërsa gruaja ndodhej në gjendje të avancuar dekompozimi, me plagë nga armë zjarri në kraharor. Edhe burri ishte qëlluar me armë, ndërsa pranë trupave policia gjeti pistoletën dhe dy gëzhoja.

Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje të ndjekur nga vetëvrasja, duke theksuar se viktimat nuk kanë humbur jetën në të njëjtën kohë. Paraprakisht mendohet se burri ka qëlluar gruan dhe, pas disa ditësh, ka vrarë edhe veten.

Alarmi u dha nga fqinjët, të cilët vunë re një erë të rëndë që dilte nga banesa dhe faktin se një dritë qëndronte ndezur për ditë të tëra. Në vendngjarje pritet ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbardhë rrethanat e plota të tragjedisë.