Një 51-vjeçar është arrestuar në Romë, pasi dyshohet se ka vrarë nënën e tij dhe më pas ka fshehur trupin brenda një dollapi në apartamentin ku ajo jetonte.
Zbulimi u bë pasi të afërmit e 71-vjeçares, të shqetësuar se nuk po arrinin të komunikonin me të, kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve. Familjarët kishin ngritur alarmin edhe për shkak të marrëdhënies konfliktuale mes gruas dhe djalit të saj.
Sipas raportimeve të mediave italiane, nënë e bir kishin debate të shpeshta. Një nga pistat që po verifikohet është se konfliktet lidheshin me kërkesat e vazhdueshme të 51-vjeçarit për para, të cilat dyshohet se i përdorte për të blerë lëndë narkotike.
Karabinierët shkuan në banesën e gruas, një apartament që ndodhej në katin e 14-të të një ndërtese në Romë. Gjatë kontrollit, ata bënë zbulimin e rëndë: trupi i 71-vjeçares ishte futur në një dollap.
Viktima kishte një qese të vendosur rreth kokës, ndërsa në fytyrë u konstatuan shenja dëmtimesh. Këto elemente ngritën menjëherë dyshimet se vdekja nuk kishte ardhur për shkaqe aksidentale.
I biri tentoi fillimisht t’u jepte hetuesve një shpjegim tjetër. Ai pretendoi se e ëma ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën, ndërsa më pas ai kishte vendosur trupin e saj në dollap gjatë natës.
Rrëfimi i 51-vjeçarit nuk u konsiderua bindës nga autoritetet. Pas marrjes në pyetje dhe verifikimeve të kryera në apartament, ai u ndalua si i dyshuari kryesor dhe më pas u arrestua për vrasjen e nënës.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar orët e fundit të jetës së 71-vjeçares dhe për të përcaktuar mënyrën se si ajo ka humbur jetën. Pritet që hetimet e mëtejshme të sqarojnë edhe motivin e konfliktit që dyshohet se përfundoi me krimin.
