Një ngjarje tronditëse, që i ngjan një skenari filmi horror, ka tronditur opinionin publik në Gjermani. Kryebashkiakja e qytetit Herdecke, në landin Nordrhein-Westfalen, Iris Stalzer, është sulmuar brutalisht në banesën e saj, dhe e dyshuara kryesore është vajza e saj e adoptuar, vetëm 17 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, 57-vjeçarja dyshohet se është mbajtur për orë të tëra në bodrumin e shtëpisë, ku është torturuar me metoda çnjerëzore. Policia raporton se adoleshentja ka tentuar t’i djegë flokët me spraj dhe çakmak, ndërsa më pas e ka goditur dhjetëra herë me dy thika të ndryshme.

Në trupin e viktimës janë numëruar mbi 13 plagë të shkaktuara me thikë, kryesisht në zonën e barkut dhe të trupit. Gjurmët e dëmtimeve në kokë sugjerojnë se ajo është përplasur me një objekt të fortë.

Kryebashkiakja ka arritur të mbijetojë dhe tashmë ka rifituar vetëdijen. Ajo ka dëshmuar para autoriteteve, duke konfirmuar se autorja e sulmit është vajza e saj e adoptuar.

Mediat gjermane, përfshirë “Bild”, raportojnë se motivi i dyshuar është hakmarrja. Megjithatë, pas krimit të rëndë, vajza mendohet se është penduar, pasi ka tentuar të pastrojë gjurmët e gjakut dhe ka telefonuar shërbimet e urgjencës në orën 12:40 të ditës.

Hetimet vijojnë, ndërsa e gjithë ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal.