Pamjet e tmerrshme nga një çerdhe në Indonezi janë bërë virale në rrjet. 13 persona kanë përfunduar në pranga pas një rasti abuzimi me të mitur në një qendër të kujdesit për fëmijët. Rasti u denoncua nga një ish-punonjës, ndërsa në pamjet e kamerave të sigurisë shihet se si fëmijët, shumica nën moshën 2-vjeçare janë të shtrirë në dysheme vetëm me pelena. Vogëlushët janë të lidhur në duar dhe këmbë me lecka, ndërsa sipas zyrtarëve vendas, në një dhomë 3X3 metra ishin “ngjeshur” 20 fëmijë.

Ndër personat e arrestuar janë 11 kujdestarë, si dhe drejtori i shkollës dhe kreu i fondacionit që drejtonte qendrën. Ata përballen me një sërë akuzash, përfshirë neglizhencën ndaj fëmijëve. Akuza të tjera mund të shtohen ndërsa hetimi zhvillohet. Të dyshuarit i thanë policisë se kishin lidhur disa nga fëmijët për t’i penguar ata të shqetësonin të tjerët. Ata pretenduan se qendra kishte mungesë stafi, me personel të pamjaftueshëm për të larë dhe veshur fëmijët.

Qendra e kujdesit ditor akomodonte rreth 100 fëmijë, më shumë se gjysma e të cilëve besohet se janë keqtrajtuar, tha policia. Prindërit shprehen të alarmuar nga rasti.