Tre vajza të reja janë vrarë në mënyrë brutale nga një grup kriminal i trafikut të drogës në Argjentinë, pasi u rrëmbyen dhe iu nënshtruan torturave dhe përdhunimit, një pjesë e të cilave u transmetua drejtpërdrejt në TikTok, duke tronditur opinionin publik.

Ngjarja është cilësuar nga autoritetet si një “akt hakmarrjeje” i mirëplanifikuar nga një bandë narkotrafikantësh, e cila besohet se i mashtroi vajzat duke i ftuar në një “event”, për t’i çuar më pas drejt ekzekutimit të tyre me metoda çnjerëzore.

Viktimat janë identifikuar si Lara Gutierrez, 15 vjeçe, më e reja mes tyre. Brenda del Castillo, 20 vjeçe, Morena Verdi, 21 vjeçe.

Sipas mediave lokale, dy nga viktimat ishin akuzuar për vjedhjen e katër kilogramëve kokainë nga grupi kriminal, një veprim që mendohet se çoi në hakmarrjen e përgjakshme.

Lara Gutierrez kishte humbur të gjithë gishtat e dorës së majtë përpara se të ekzekutohej.
Brenda del Castillo kishte plagë të rënda në kokë dhe barku i ishte çarë.

Morena Verdi ishte asfiksuar me një qese plastike në kokë. Trupat e vajzave u gjetën të groposur në një kopsht, pesë ditë pas zhdukjes së tyre. Hetimet zbuluan se vendi i krimit ishte një shtëpi e përdorur nga grupi kriminal si bazë operacionale.

Ministri i Sigurisë së Buenos Aores, Javier Alonso deklaroi se:

“Vajzat u panë për herë të fundit duke hipur në një automjet me dëshirë, duke menduar se po shkonin në një event. Në fakt, ato ranë në kurthin e një bande ndërkombëtare të trafikut të drogës, e cila kishte planifikuar me detaje eliminimin e tyre.”

Sipas autoriteteve argjentinase, udhëheqësi i bandës që urdhëroi vrasjen është një shtetas peruan, i cili dyshohet se ka braktisur vendin. Deri tani, katër persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast.