Hotele luksoze në bregdet, tren me shpejtësi të lartë dhe rrjete energjitike inteligjente të mundësuara nga Inteligjenca Artificiale janë në zemër të një vizioni ambicioz për Gazën e së ardhmes, i hartuar nga këshilltarët e Presidentit të SHBA, Donald Trump – i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.
Sipas një raporti nga The Wall Street Journal, plani, i quajtur “Projekti Agimi” (Project Sunrise), parashikon një rindërtim afatgjatë të Gazës që zgjat të paktën 10 vjet, dhe ndoshta 20.
Sipas planit, nëse Hamasi çarmatoset, rrënojat e shumta nga qytetet e shkatërruara të Gazës do pastroheshin dhe do zëvendësoheshin me qendra urbane të sapondërtuara, si pjesë e vizionit të Trump-it për një “Rivierë të Lindjes së Mesme”, të cilin ai e skicoi në fillim të këtij viti, shumë përpara se të përfundonte lufta.
Plani detajohet në një prezantim PowerPoint me 32 faqe i shënuar si “i ndjeshëm por i paklasifikuar”. Ai vlerëson koston e rindërtimit në të paktën 112 miliardë dollarë në dekadën e parë. Sipas faqeve të cituara nga The Journal, Shtetet e Bashkuara do merrnin përsipër një kontribut “kyç” prej rreth 20% të financimit në 10 vitet e para. Fizibiliteti i planit mbetet i paqartë, me pengesën kryesore kundërshtimin e Hamasit për t’u çarmatosur dhe faktin se pengu i fundit izraelit që besohet se ka vdekur, rreshteri Ran Gvili, nuk është kthyer ende.
Izraeli ka deklaruar se nuk do kalojë në fazën e dytë të planit të paqes të Trump-it – i cili përfshin rindërtimin dhe vendosjen e një force ndërkombëtare për të zëvendësuar gradualisht trupat izraelite – derisa trupi i Gvili-t të kthehet.
Zyrtarët amerikanë të cituar nga The Journal shprehën “dyshime serioze” për qëndrueshmërinë e planit, duke cituar kundërshtimin e Hamasit për t’u çarmatosur dhe shqetësimet se vendet donatore do ngurrojnë të financojnë rindërtimin për sa kohë që rreziku i luftimeve të reja mbetet i pranishëm.
Steven Cook nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë tha se plani ka pak gjasa të ecë përpara, duke argumentuar se pak njerëz në Izrael presin që gjendja të ndryshojë dhe se asnjë përparim nuk është i mundur nëse Hamasi nuk çarmatoset, gjë që ai beson se nuk do ndodhë.
Megjithatë, disa zyrtarë të administratës Trump argumentojnë se prezantimi i një vizioni të hollësishëm dhe optimist për të ardhmen e Gazës, nëse Hamasi dorëzon armët, është i parapëlqyeshëm sesa të supozohet se Gaza do mbetet një territor i shkatërruar i pllakosur nga një krizë humanitare e vijueshme dhe zhvendosje masive. Zyrtarët thanë se nëse “kushtet e sigurisë” lejojnë, zbatimi mund të fillojë brenda dy muajsh.
Si përgjigje ndaj raportit të The Journal, Shtëpia e Bardhë tha se administrata Trump po punon ngushtë me partnerët për të ruajtur një armëpushim të qëndrueshëm dhe për të mbështetur bazat për një Gazë paqësore dhe të begatë.
Sipas raportit, Witkoff, Kushner dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Josh Gruenbaum, finalizuan planin gjatë 45 ditëve të fundit, duke u këshilluar me zyrtarë izraelitë dhe udhëheqës biznesi. Plani përshkruhet si fleksibël dhe do përditësohej çdo dy vjet nëse miratohet.
Prezantimi vlerëson kostot totale të rindërtimit në 112.1 miliardë dollarë gjatë dekadës së parë. Përveç SHBA-së, pritet që shtetet e pasura rajonale të financojnë përpjekjen, ndonëse prezantimi nuk qartëson se cilat vende. Ai përfshin gjithashtu një parashikim veçanërisht ambicioz se Gaza eventualisht mund të financojë rindërtimin dhe shlyerjen e borxhit përmes të ardhurave të prodhuara nga një ekonomi lokale e ringjallur, duke përfshirë zhvillimin e hoteleve në shkallë të gjerë përgjatë bregdetit.
Plani thuhet se u është prezantuar shteteve të Gjirit, si dhe Egjiptit dhe Turqisë, të cilët janë thellësisht të përfshirë në përpjekjet për të çuar përpara fazën e dytë të planit të Trump-it. Raporti pason takimet e së premtes në Miami midis Witkoff dhe Kushner dhe përfaqësuesve nga Egjipti, Turqia dhe Katari mbi Gazën dhe forcën e propozuar ndërkombëtare.
Prezantimi nuk i shmanget pengesës qendrore. Përmbledhja ekzekutive e hapjes përfshin një paralajmërim në kutizë të kuqe ku thuhet se rindërtimi varet nga çarmatimi i plotë i Hamasit dhe nxjerrja jashtë përdorimit e të gjitha armëve dhe tuneleve. Faqet e prezantimit shfaqin grafikë të qyteteve të përparuara, kullave bregdetare dhe trenave të shpejtësisë së lartë nën titullin: “Ndërtimi i një Gaze të Re dhe të Bashkuar”.
