Një familje në Britaninë e Madhe po përjeton një dhimbje të jashtëzakonshme pas humbjes së djalit të tyre dyvjeçar, i cili ndërroi jetë papritur vetëm pak javë para se të mbushte tre vjeç. Hudson Martin, nga zona Knowle në Bristol, u rrëzua në banesë dhe nuk arriti të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të gjata të ekipeve mjekësore për t’i shpëtuar jetën.
Prindërit e tij tregojnë se Hudson ishte një fëmijë plot energji dhe gjallëri, që donte muzikën, vallëzimin dhe lojërat, duke mos dhënë asnjë shenjë se diçka serioze po ndodhte me shëndetin e tij. Ai kishte shfaqur simptoma të ngjashme me gripin, por askush nuk e mendonte se gjendja do të merrte një përfundim kaq tragjik.
Familja bën me dije se Hudson ishte diagnostikuar që në moshë shumë të vogël me sëmundjen Kawasaki, një sëmundje e rrallë që prek kryesisht fëmijët nën moshën pesë vjeç dhe që mund të shkaktojë dëmtime serioze në enët e gjakut dhe zemër. Sipas prindërve, diagnoza shpesh është e vështirë, pasi nuk ekziston një test specifik dhe mjekët duhet të përjashtojnë fillimisht sëmundje të tjera.
Babai i tij tregon se shërbimet e urgjencës dhe ekipet e specializuara bënë gjithçka që ishte e mundur për më shumë se një orë për ta rikthyer në jetë, por zemra e vogëlushit nuk reagoi. Nëna shton se Hudson ishte një fëmijë me personalitet të madh, që donte të bënte gjithçka vetë dhe nuk ndalej kurrë.
Pas kësaj humbjeje të rëndë, familja ka vendosur të flasë publikisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi sëmundjen Kawasaki dhe shenjat e saj, duke u bërë thirrje prindërve që të këmbëngulin për kontrolle të detajuara mjekësore nëse vërejnë simptoma të pazakonta te fëmijët e tyre.



