Një aksident ajror i rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e së martës, pasi një avion mallrash i kompanisë UPS shpërtheu në flakë gjatë ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Louisville (Muhammad Ali International), në shtetin e Kentucky-t.
Fillimisht u raportuan tre viktima dhe 11 të plagosur, por guvernatori Andy Beshear më vonë konfirmoi se numri i të vdekurve ka arritur në të paktën shtatë, ndërsa paralajmëroi se bilanci mund të rritet me kalimin e orëve.
Pamje dramatike të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur motori i majtë i avionit merr flakë gjatë ngritjes, pasuar nga një shpërthim i fuqishëm që ndriçon qiellin e natës. Avioni shihet teksa përpiqet të marrë lartësi, por më pas shndërrohet në një top zjarri dhe përplaset në tokë, duke krijuar një re të madhe tymi.
Sipas autoriteteve, avioni i tipit McDonnell Douglas MD-11, që transportonte rreth 150 mijë litra karburant, u rrëzua në një zonë industriale pranë aeroportit, duke shkatërruar dy biznese një uzinë riciklimi nafte dhe një oborr pjesësh makinash. Dy punonjës të këtyre ndërmarrjeve vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Zjarrfikësit janë angazhuar me dhjetëra mjete për të shuar flakët dhe për të kërkuar të mbijetuar, ndërsa për shkak të rrezikut të shpërthimeve të tjera është shpallur një urdhër qëndrimi në shtëpi në një rreze prej pesë miljesh rreth zonës së aksidentit.
NEW: Security camera captures crash of UPS Flight 2976 in Louisville, Kentucky pic.twitter.com/mZkDUSidvs
— BNO News Live (@BNODesk) November 5, 2025
Guvernatori Beshear u bëri thirrje qytetarëve të mos i afrohen vendngjarjes, duke theksuar se “ende mund të ketë persona që presin ndihmë dhe substanca të rrezikshme që mund të shpërthejnë.”
Kompania UPS konfirmoi se fluturimi 2976, me destinacion Honolulu, Hawaii, kishte tre anëtarë ekuipazhi në bord dhe se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
BREAKING: Video shows crash of UPS Flight 2976 while taking off from Louisville International Airport in Kentucky pic.twitter.com/ADPj47vmYB
— BNO News (@BNONews) November 4, 2025
Ngjarja ka tronditur qytetin e Louisville, ku UPS është punëdhënësi më i madh, me mbi 20 mijë të punësuar, ndërsa mediat amerikane e kanë përshkruar incidentin si “një nga më të frikshmit dhe më të paprecedentët e viteve të fundit.”
