Lëvizja studentore në Serbi ka kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të policisë, agjencive të inteligjencës dhe gjyqësorit, pas fitores në zgjedhjet parlamentare kundër Partisë Progresive Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiç.
Gjatë një konferencë për shtyp të enjten në Beograd, përfaqësuesit e lëvizjes kërkuan gjithashtu që autoritetet zgjedhore të shpallin pa vonesë rezultatet përfundimtare të votimit të së dielës, pas rivotimit të parashikuar në rreth 50 qendra votimi.
Studentët synojnë të hapin rrugën për formimin e Parlamentit dhe qeverisë së re, ndërsa institucionet aktuale vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre gjatë periudhës së tranzicionit.
“Ndryshimet po fillojnë tani”, deklaroi studenti Filip Uboviç, duke theksuar se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe se ligji duhet të zbatohet për të gjithë.
Fitorja e Listës së Studentëve shënon një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike serbe, pas 14 vitesh qeverisjeje të Partisë Progresive Serbe, e cila është përballur me akuza për korrupsion, nepotizëm dhe ndikim mbi institucionet shtetërore. Këto akuza janë mohuar nga përfaqësuesit e pushtetit.
Gjatë konferencës, studentët u bënë thirrje edhe nëpunësve publikë që të mbrojnë dokumentacionin zyrtar dhe çdo provë të mundshme për shkelje, duke paralajmëruar kundër shkatërrimit të tyre nga zyrtarët në largim.
Nga ana tjetër, Aleksandar Vuçiç akuzoi fituesit e zgjedhjeve për “terror revolucionar”, pas sulmit të grupeve të njerëzve ndaj televizionit Informer, një media që gjatë fushatës kishte kritikuar ashpër lëvizjen studentore.
Përplasjet politike dhe kërkesat për ndryshime në institucionet shtetërore pritet të shoqërojnë javët e ardhshme, ndërsa Serbia përgatitet për kalimin formal të pushtetit te shumica e re parlamentare.
