Komuniteti shkencor po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje lidhjes mes humbjes së dëgjimit dhe disa sëmundjeve serioze neurologjike, përfshirë goditja në tru. Sipas një studimi të publikuar në The Lancet Neurology dhe të realizuar nga studiues të UCL Queen Square Institute of Neurology në Londër, ndryshimet në dëgjim mund të jenë një sinjal i hershëm i disa llojeve të goditjes në tru.
Studiuesit analizuan pacientë që u paraqitën në urgjencë me dyshime për goditje në tru dhe që njëkohësisht raportuan edhe probleme me dëgjimin. Sipas tyre, një formë e veçantë e goditjes në tru – ajo që prek qarkullimin e pasmë të trurit – shpesh diagnostikohet me vonesë, pasi simptomat janë më pak të dukshme dhe shpesh nuk lidhen menjëherë me këtë gjendje.
Ndryshe nga goditjet në tru të qarkullimit të përparmë, të cilat shfaqen me shenja të qarta si paraliza e fytyrës, dobësia e gjymtyrëve apo vështirësia në të folur, goditjet që prekin pjesën e pasme të trurit mund të shoqërohen me simptoma më të lehta, si marramendje, trullosje dhe ndryshime në dëgjim.
Në studim u përfshinë 71 pacientë që u paraqitën në urgjencë me marramendje ose trullosje. Rreth 10% e tyre raportuan edhe probleme me dëgjimin, të cilat fillimisht nuk u morën në konsideratë gjatë vlerësimit mjekësor.
Pas kryerjes së testeve audiologjike, tek 15% e pacientëve u identifikua humbje asimetrike e dëgjimit. Në më shumë se gjysmën e këtyre rasteve, mjekët diagnostikuan më pas një ngjarje akute vaskulare që në fillim kishte kaluar pa u vënë re.
Sipas ekspertëve, kjo lidhet edhe me faktin se testet e dëgjimit nuk kryhen gjithmonë në raste të tilla, ndërsa pacientët shpesh raportojnë më urgjentisht simptoma si të përziera dhe marramendje, duke neglizhuar ndryshimet në dëgjim.
Specialistët theksojnë se ky studim tregon rëndësinë e vlerësimit më të kujdesshëm të simptomave të tilla, pasi edhe një shenjë e vogël si humbja e dëgjimit mund të ndihmojë në diagnostikimin më të hershëm të goditjes në tru.
