Luftojnë romët dhe konkurrojnë qeverinë e djathtë që sakaq konsiderohet totalitariste


Dekada të tëra armiqësie mes hungarezëve dhe romëve etnikë kanë mbetur në hije për shumë kohë derisa një parti e ekstremit të djathtë e quajtur Jobbik pa mundësinë për të kapur pushtet politik. Një manifestim proteste e organizuar nga kjo parti, u kthye në një përplasje të dhunshme në rrugë që e la një qytet të tërë të shkatërruar ndërsa ekstremi i djathtë e shfrytëzoi ngjarjen për të fituar më shumë pikë në rang kombëtar. Më herët, kjo parti pati krijuar të ashtuquajturat “Rojet Hungareze” ose policë vullnetarë civilë që visheshin në stil fashist dhe sulmonin romët.


Partia Jobbik, (Lëvizja për Një Hungari Më të Mirë) ka fituar kaq shumë mbështetje së fundmi, sa ajo mund të bëhet forca e tretë dhe përcaktuese në politikën e këtij vendi në zgjedhjet që pritet të zhvillohen në vitin 2014.


Kjo mund t’i lejojë Jobbik të ketë një rol në qeverisje dhe të nxisë probleme të tilla si diskutimi mbi anëtarësimin në BE dhe ridrejtimin e lidhjeve ekonomike kah vendeve të lindjes. Hungaria është goditur nga recesioni dhe mund të detyrohet të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nëse kushtet përkeqësohen më shumë. Kjo mund ta shtyjë qeverinë të ndërmarrë masa jopopullore kursimesh, gjë që mund të çojë edhe më shumë vota për Jobbik. Partia në pushtet Fidesz, e cila nuk ka shumë ndryshim nga ekstremi i djathtë, thotë se ndikimi i fashistëve nuk është kaq i madh, por shumë besojnë se Jobbik po e detyron këtë parti sakaq me kredenciale të ulëta demokratike, të ndjekë politika edhe më ekstreme sesa deri më sot.


Konflikti mes romëve dhe hungarezëve është mjeti kryesor i Jobbik për të kapur mbështetje. Fidesz ka humbur më shumë se 1 milion vota që nga viti 2010, opozita mbetet e dobët dhe më shumë se gjysma e elektoratit është e pavendosur. Ndërkohë, Jobbik e ka ruajtur bazën e vet dhe po fuqizohet.


Në qytezën e Devecer, ku ndodhi përplasja, një e treta e 5 mijë banorëve janë romë. Ata e nxjerrin jetesën më së shumti duke grumbulluar mallra të përdorur në Austri e Gjermani dhe i shesin ato në një treg të stërmadh të hapur në dalje të qytezës. Në ditë, korrikun e kaluar, Ferenc Horvath, një tregtar mobiliesh rom, pati një ngacmim në rrugë me automjetin e tij me një hungarez. Ky ngacmim përfundoi me një sherr masiv mes dy komuniteteve ku të dyja palët përdorën shkopinj bejsbolli si dhe një thikë. Policia ndërhyri dhe arrestoi 17 veta. Por për disa hungarezë kjo nuk qe e mjaftueshme. Ata thirrën për ndihmë partinë e ekstremit të djathtë, e cila organizoi një protestë duke kërkuar më shumë siguri publike. Sipas dëshmitarëve, gjatë protestës një zyrtar i partisë u tha të pranishmëve se duhej të çliroheshin nga romët, duke cituar edhe idenë naziste të Lebesraum, ose hapësirës jetësore.


“Forca kërkon respekt”, thirri ai. “Çfarë do t’u tregojmë ne këtyre njerëzve? Vetëm forcë! Nuk do të ketë Martin Luther King nga jevgjit, as Malkolm X, sepse ne do ta heqim qafe këtë fenomen që dëshiron të na shfarosë ne nga hapësira jonë e jetës!”


Disa nga 1 mijë protestuesit marshuan drejt pjesës së qytetit të banuar nga romët duke kërcënuar njerëzit dhe hedhur gurë. Një video e publikuar tregon njerëz që hedhin gjysma tullash te kopshtet e shtëpive të romëve dhe këta të fundit që u përgjigjen. Për fat të mirë nuk pati të plagosur.


Ata sulmuan çdokënd që i doli para”, thotë Ferenc Horvath disa javë më vonë. “Ata thanë se ne jemi dështim gjenetik e më keq. Njerëzit janë ende të frikësuar”.


Jobbik nuk pranon përgjegjësi për dhunë. Por deputeti i kësaj partie, Gabor Ferenczi, i cili mblodhi turmën e protestuesve, më pas tha me krenari se ia kishte dalë të rriste praninë e policisë në qytet. Kjo është një parti e themeluar në vitin 2003, kur mori 2 për qind të votave duke ngritur kryqe druri për të protestuar kundër shfrytëzimit ekonomik të Krishtlindjeve. Në shtator 2006, protesta të dhunshme u shfaqën në Hungari, pasi popullata mësoi se qeveria socialiste e kohës kishte gënjyer për vite me radhë mbi gjendjen e ekonomisë së vendit. Jobbik doli në rrugë dhe bëri protesta kundër brutalitetit të policisë. Kjo i solli rritje të shpejtë.


Jobbik ka përdorur edhe retorikë antisemite për të thithur më shumë vota. Një deputet i saj përmendi edhe një legjendë të pavërtetë historike, e cila thotë se hebrenjtë përdorin gjak kristian në ritet e tyre fetare. Pas kësaj 50 kongresmenë amerikanë i shkruan qeverisë hungareze për të kritikuar rritjen e antisemitizmit në këtë vend. Por kjo duket se nuk ndryshoi shumë gjëra dhe partia vijon të shtojë radhët e veta.