Hungaria ka emëruar Peter Fejes në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, në një moment kur vendi po përballet me një valë të re hetimesh për korrupsionin e dyshuar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán.
Fejes mori mbështetjen e 139 deputetëve, ndërsa vetëm gjashtë votuan kundër. Ai do të drejtojë institucionin për një mandat nëntëvjeçar. Votimi u bojkotua nga partia Fidesz e Orbán dhe aleati i saj KDNP.
Emërimi vjen në kuadër të përpjekjeve të kryeministrit të ri, Péter Magyar, për të vënë nën hetim ish-zyrtarët dhe personat e lidhur me qeverinë e mëparshme, mes akuzave për abuzime dhe korrupsion.
Pas betimit të prokurorit të ri, Magyar publikoi një reagim në rrjetet sociale, ku paralajmëroi përgjegjësit për veprimet e tyre. “Në emër të të gjithë hungarezëve, ju uroj çdo sukses në punën tuaj. Dridhuni, hajdutë e kriminelë”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Fejes deklaroi se prioritetet e tij do të jenë profesionalizmi, efikasiteti dhe pavarësia e institucionit nga politika. Ai la të hapur edhe mundësinë e rishqyrtimit të dosjeve të klasifikuara.
Ndërkohë, hetimet për korrupsionin po marrin përmasa të reja. Tre ish-ministra ndodhen aktualisht në paraburgim, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e çështjes së njohur si “karvani i artë” ukrainas, ku u sekuestruan miliona dollarë, euro dhe shufra ari.
Në këtë dosje, prokurori që drejtonte hetimet kishte pretenduar se provat tregonin për një përfshirje të drejtpërdrejtë të Viktor Orbán. Megjithatë, ky pretendim mbetet ende objekt i hetimeve.
