Tarifat e reja globale të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë hyrë në fuqi me një normë prej 10%, më e ulët se sa ishte paralajmëruar fillimisht.

Vendimi pason bllokimin nga Gjykata e Lartë e SHBA-së të shumicës së tarifave gjithëpërfshirëse të vendosura më parë, çka detyroi administratën të rishikojë qasjen e saj. Sipas dokumenteve zyrtare, tarifa prej 10% hyri në fuqi të martën, ndonëse Trump kishte paralajmëruar më parë një normë prej 15%. Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë udhëzime për një rritje të mëtejshme të tarifës.

Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump bazohet në Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, që i mundëson presidentit të vendosë tarifa për 150 ditë pa miratimin e Kongresit. Administrata argumenton se masa synon të adresojë problemet me pagesat ndërkombëtare dhe të ribalancojë marrëdhëniet tregtare në favor të punëtorëve, fermerëve dhe prodhuesve amerikanë.

Trump ka theksuar se tarifat janë të nevojshme për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së, megjithatë të dhënat e fundit tregojnë se deficitit i është shtuar 2.1% krahasuar me vitin 2024, duke arritur rreth 1.2 trilionë dollarë.

Të premten, Gjykata e Lartë vendosi se presidenti kishte tejkaluar autoritetin duke përdorur Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës (IEEPA) të vitit 1977 për vendosjen e tarifave të gjera, hap që mund të çojë në kërkesa për rimbursime miliardëshe nga bizneset.