Një person i armatosur, i identifikuar si Cole Thomas Allen, i cili hapi zjarr gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, kishte paralajmëruar familjen e tij për qëllimet përmes një mesazhi të dërguar pak para ngjarjes së së shtunës në mbrëmje.

Sipas raportimit të New York Post, mesazhi – i dorëzuar më pas autoriteteve nga një i afërm – përmbante deklarata të forta me motive ideologjike, ku Allen e përshkruante veten si “vrasës federal miqësor” dhe shprehte synimin për të goditur zyrtarë të qeverisë.

Në tekst, ai përpiqej të justifikonte veprimin e tij duke iu referuar padrejtësive të ndryshme, ndërsa theksonte se heshtja përballë shtypjes së të tjerëve përbën bashkëfajësi. Ai përmendte si objektiva “zyrtarë të qeverisë”, duke përjashtuar drejtorin e FBI-së, Kash Patel, të cilin nuk e konsideronte pjesë të listës së tij.

Allen gjithashtu përshkruante mënyrën e planifikuar të sulmit, duke pretenduar se do të përdorte një lloj municioni që, sipas tij, do të kufizonte dëmet anësore, megjithëse pranonte se mund të prekte edhe persona të tjerë për të arritur qëllimin.

Në mesazhin e tij, ai kritikonte edhe masat e sigurisë në hotelin ku u zhvillua eventi, duke pretenduar se kishte hyrë i armatosur pa u vënë re dhe duke sugjeruar se mangësitë në kontroll mund të shfrytëzoheshin edhe nga aktorë të tjerë.

Autoritetet amerikane u vunë në dijeni për manifestin pasi vëllai i tij njoftoi policinë në New London. Ndërkohë, Shërbimi Sekret mori në pyetje motrën e tij, e cila deklaroi se Allen kishte shfaqur shpesh pikëpamje ekstreme politike dhe kishte folur për nevojën e ndërhyrjes për të “rregulluar botën”.

Sipas të dhënave paraprake, ai kishte qenë anëtar i një grupi të quajtur “The Wide Awakes” dhe dyshohet se kishte marrë pjesë edhe në protesta në Kaliforni, ku jetonte dhe punonte si mësues.