Sipas ish-ministrit, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është bërë si organizatë joqeveritare
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i ka quajtur të vonuara kritikat e kryeministrit Hashim Thaçi në drejtim të Brukselit. Hyseni ka thënë se kryeministri e ka bërë një veprim jo të duhur dhe në kohën e gabuar. Ish-diplomati kosovar ka theksuar se deklaratat duhet të ishin bërë para arritjes së marrëveshjeve në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Deklaratat e kryeministrit i konsideroj të vonuara, shumë të vonuara, sepse këto kritika është dashur të bëhen shumë kohë më parë, e jo tani, aq më tepër në këtë formë dhe për konsum publik”, ka deklaruar Hyseni, për “Epokën e re”.
Sipas tij, procesi i stabilizim-asocimit dhe liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ndodh si shpërblim për marrëveshjet e arritura në dialogun me Beogradin, por mbi bazën e meritave. Ish-ministri i Jashtëm nuk ka kursyer akuzat për pasardhësit e tij. Ai ka kritikuar diplomacinë kosovare për mosfunksionim, madje e ka quajtur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës një organizatë joqeveritare, që sipas tij, nuk funksion fare.
16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)