Abdelrahmen Adnan Abouelela, 42 vjeçari nga Egjipti, është shpallur fajtor për përdhunimin e një gruaje në Hyde Park më 4 nëntor 2024. Burri egjiptian u dënua me 8.5 vite burg për aktin e kryer më pas u zbulua se ai ishte dënuar në mungesë në Egjipt për terrorizëm dhe prodhim bombash

Ai qëndronte në hotelin katër yje “Hampton by Hilton” në zonën e Ealing, Londër, ku ishte akomoduar si azilkërkues.

Sipas vendimit të gjykatës së Southwark, Abouelela e tërhoqi viktimën një grua që ndodhej nën ndikimin e alkoolit në një zonë të errët dhe të izoluar të parkut për të kryer aktin e rëndë seksual. Ai u arrestua, u shpall fajtor më 22 maj dhe u dënua këtë javë me tetë vjet e gjysmë burg.

Në dhënien e dënimit, gjykatësi Gregory Perrins u shpreh:

“Duhet të ketë qenë e qartë për ty që ajo ishte e pambrojtur. Ti more një vendim të ftohtë për të përfituar nga dobësia e saj. Ishte një sulm i motivuar vetëm nga dëshirat e tua seksuale thjesht more atë që doje.”

Gjykatësi theksoi gjithashtu se Abouelela nuk tregoi asnjë pendesë dhe nuk e pranoi fajin e tij, ndërsa përgëzoi viktimën për guximin e treguar në dhënien e dëshmisë.

Përtej këtij akti mizor, autoritetet britanike zbuluan se Abouelela ishte i dënuar për terrorizëm në Egjipt, ku më 5 maj 2015 ishte shpallur fajtor në mungesë dhe dënuar me 7 vjet burg për pjesëmarrje në një qelizë që prodhonte bomba artizanale me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës shtetërore si shtylla elektrike dhe tubacione gazi.

Ai dyshohet të ketë qenë pjesë e Vëllazërisë Myslimane, një organizatë e shpallur terroriste në disa vende të Lindjes së Mesme. Para mbërritjes në Britani, ai kishte qëndruar në Sudan, Malajzi dhe Turqi, ku autoritetet i kishin refuzuar kërkesën për azil dhe tentuan ta deportonin në Egjipt. Në atë kohë, ai publikoi video në rrjete sociale duke u vetëdeklaruar si “opozitar politik” dhe i përndjekur nga regjimi i presidentit el-Sisi.