Një VW Golf i braktisur në zonën e parkimit të një aeroporti në Berlin për një vit të tërë ka grumbulluar një shumë të madhe prej 201,480 eurosh (209,124 dollarë) për tarifat e parkimit. Tarifat e parkimit në aeroporte janë shpesh shumë të larta dhe Aeroporti Brandenburg i Berlinit nuk është përjashtim. 12 minutat e para në zonën e parkimit janë falas, pas së cilës tarifat janë 11 dollarë për 30 minuta, 23 dollarë për orë dhe 552 dollarë në ditë për të parkuar makinën aty.

Mesa duket pronari i një VW Golf gri nuk e ka vrarë mendjen dhe e ka lënë makinën e tij të parkuar aty që nga janari i vitit të kaluar. Nuk dihet kur autoritetet e aeroportit e panë që një automjet ishte braktisur në zonën e tyre të parkimit për të paktën disa muaj, por dihet se askush nuk bëri asgjë për një vit të tërë. Menaxheri i aeroportit, APCOA Deutschland GmbH, policia lokale dhe madje edhe zyra e qarkut lokale, të gjitha e mohuan çdo lloj përgjegjësie në këtë rast, duke tërhequr vëmendjen për neglizhencën që rrethonte rregullat e parkimit afatgjatë.

Mjeti i braktisur u tërhoq më 28 janar, moment kur kishte grumbulluar një borxh prej 201,480 eurosh për tarifat e parkimit, të cilat ndoshta nuk do të mblidhen kurrë, pasi policia nuk ka mundur ende të identifikojë pronarin. Të dhënat aktuale sugjerojnë se makina mund të jetë vjedhur dhe pastaj braktisur në aeroport, pasi targa e Hanoverit nuk përputhet me automjetin.