Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka nisur sot zyrtarisht vuajtjen e dënimit me pesë vjet burg, duke hyrë në histori si ish-kreu i parë i shtetit francez që dënohet me burg dhe e vuan dënimin fizikisht.
Sipas mediave franceze dhe ndërkombëtare, Sarkozy pritet të mbahet në një njësi izolimi, për arsye sigurie. Ai do të qëndrojë në një qeli të veçantë dhe do të jetë i ndarë nga të burgosurit e tjerë edhe gjatë kohës së aktivitetit në ambientet e jashtme.
Qelitë në këtë njësi kanë një sipërfaqe prej 9 deri në 12 metra katrorë dhe, pas rinovimeve të fundit, janë pajisur edhe me dushe private. Sarkozy do të ketë gjithashtu të drejtë të përdorë një telefon fiks dhe një televizor, për të cilin duhet të paguajë një tarifë mujore prej 14 eurosh.
Dënimi ndaj Sarkozy-t vjen pas një sërë skandalesh gjyqësore, përfshirë korrupsion dhe ndikim të paligjshëm te gjyqtarët. Vendimi për burg të menjëhershëm përbën një precedent të rrallë në politikën franceze dhe një moment të fortë simbolik për drejtësinë franceze.