Një burrë 29-vjeçar në Austri, me peshë prej rreth 289 kilogramësh, i konsideruar si i burgosuri më i rëndë në vend ka shkaktuar revolte për shkak të kostove jashtëzakonisht të larta që kërkon për t’u mbajtur prapa grilave. Ai u arrestua në Vjenë, në banesën ku iu gjetën sasi të mëdha droge; 45 kg kanabis, 2 kg kokainë, rreth 2 kg amfetaminë dhe mbi 2000 tableta ekstazi.

Fillimisht u vendos në burgun Josefstadt të Vjenës, por pas vetëm pak ditësh u transferua në burgun Korneuburg, rreth 15 km në veri të kryeqytetit, për shkak se pesha e tij pothuaj çau shtratin.

Në burgun e ri, atij i është siguruar një krevat special me strukturë të përforcuar dhe kujdes 24-orësh nga infermierë të jashtëm. Kostot e mbajtjes mund të arrijë deri në 1800 euro në ditë, krahasuar me rreth 180 euro në ditë për një të burgosur “të zakonshëm”.

Nëse ky i burgosur do të transportohej, vetëm kjo procedurë do t’i kushtonte rreth 5000 euro për çdo udhëtim, ndaj ai po mbahet në burg dhe intervistat me të bëhen përmes video-lidhje për të kursyer shpenzime. Këto ndërlikime financiare kanë ndezur një debat të nxehtë në shoqërinë austriake.