Për pothuajse tre muaj, një shtetas turk ndodhet në paraburgim në Serbi, duke pritur vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd për ekstradimin e tij në vendin e origjinës, ku rrezikon një dënim shumëvjeçar me burgim nën dyshime për vepra penale, por edhe një proces gjyqësor të veçantë për publikimet lidhur me pushtetin turk dhe çështjet kurde.

Recep Reis Aydin më parë kishte marrë statusin e refugjatit në Belgjikë, pasi autoritetet vlerësuan se ekziston rrezik real që në Turqi të përballet me përndjekje politike.

Kështu deklaron edhe avokati i tij në Serbi, , duke iu referuar udhëzimeve të UNHCR-së për ekstradim, sipas të cilave autoritetet e shtetit që vendos për ekstradimin duhet të marrin parasysh statusin e refugjatit të njohur në një shtet tjetër.

Rasti i Recep Reis Aydinit vjen në kohën kur pritet formimi i Qeverisë së re të Serbisë, pas 14 vjetësh të pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), dhe nuk është i vetmi rast i këtij lloji.

Qeveria e ardhshme do të trashëgojë procedura të ndjeshme ekstradimi dhe çështje të hapura lidhur me punën e mëparshme të institucioneve, përfshirë dyshimet e ngritura publikisht se në disa vendime kanë ndikuar raportet politike.

Zyrtarët e Qeverisë së deritanishme të Serbisë i kanë përshkruar marrëdhëniet me Turqinë si më të mirat në vitet e fundit, ndërsa presidenti turk ka vizituar Beogradin katër herë që nga viti 2017.

Për çfarë akuzohet Aydin?

Recep Reis Aydin u arrestua më 31 gusht, menjëherë pasi arriti në aeroportin e Beogradit “Nikola Tesla”.

Avokati i tij, Vladimir Hrle, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se Aydin kishte ardhur në Serbi për punë, pa ditur se do të rrezikonte arrestimin dhe ekstradimin, duke pasur parasysh se në mars të vitit 2025 kishte marrë statusin e refugjatit në Belgjikë.

Sipas tij, Turqia kërkon ekstradimin e Aydinit për ekzekutimin e dënimeve për trafik droge dhe tentim grabitjeje. Sipas kërkesës për ekstradim, shtetasi turk është dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2023 me 23 vjet burgim për trafik droge nga një gjykatë në Soke. Po atë vit, atij iu shqiptua edhe një dënim prej dy vjetësh burgim për tentim grabitjeje.

“Autoritetet turke thonë se në të dyja rastet ai e ka paraqitur mbrojtjen me pjesëmarrjen e avokatit dhe se janë përdorur mjetet juridike para gjykatës rajonale të apelit dhe gjykatës së lartë, por kërkesa për ekstradim përmban edhe të dhëna që nuk janë të përputhshme për datat e seancave. Këto dokumente nevojiten për të përcaktuar se si është ushtruar realisht e drejta për mbrojtje, ndërsa ekzistenca e këtyre dënimeve duhet të shqyrtohet në procedurën e ekstradimit së bashku me statusin e tij dhe rreziqet e kthimit”, thotë Vladimir Hrle.

Aydin përballet edhe me dy aktakuza të veçanta për fyerjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe propagandë për Partinë Demokratike Popullore pro-kurde (HDP), por ato nuk janë përmendur si bazë për ekstradim.

Sipas mbrojtjes, kjo nuk e eliminon rrezikun e përndjekjes politike pas kthimit në Turqi, as detyrimin e Serbisë për të shqyrtuar mbrojtjen që Belgjika tashmë i ka dhënë.

“Në atë vendim, gjykata në Belgjikë theksoi se fakti që Recep Reis Aydin nuk ka një funksion politik nuk është i mjaftueshëm për të shpërfillur rreziqet e mundshme”, thekson Hrle.

“Turqia kërkon dorëzimin e tij për ekzekutimin e dënimeve për trafik droge dhe tentim grabitjeje, por Serbia duhet të shqyrtojë edhe pasojat reale të dorëzimit për një person të cilit një shtet tjetër tashmë i ka njohur mbrojtjen si refugjat. Nëse ekzistojnë arsye serioze për të përfunduar se ai do të përballet me rrezik real të torturës ose trajtimit çnjerëzor apo degradues, ekstradimi është i ndaluar, pavarësisht nga rëndësia e veprave penale”, shton ai.

Sipas tij, procesverbali i fundit i dorëzuar nga Turqia tregon se në fund të dhjetorit duhet të mbahet seanca e radhës ndaj Aydinit, për rastin ku ai akuzohet për propagandë terroriste.

“Ky dokumentacion tregon se shprehja e tij politike vazhdon të jetë objekt i ndjekjes penale në Turqi, ndaj gjykata në Serbi duhet të vlerësojë rëndësinë e tij për rreziqet që i thekson mbrojtja”.

Me vendimin e 30 tetorit, Aydinit iu vazhdua paraburgimi deri më 30 dhjetor, por me këtë vendim nuk është përcaktuar nëse janë plotësuar kushtet për ekstradim. Sipas ligjit në Serbi, paraburgimi për ekstradim mund të zgjasë më së shumti një vit, që në rastin e Aydinit do të ishte deri më 31 gusht 2027.

Nëse Gjykata e Lartë miraton ekstradimin e tij, mbrojtja ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit. Nëse vendimi bëhet i formës së prerë, lënda i dërgohet ministrit të Drejtësisë, i cili vendos nëse do ta lejojë ekstradimin.

Cili është qëndrimi i organizatave ndërkombëtare?

Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) thotë në udhëzimet për ekstradimin se autoritetet e shtetit që vendos për ekstradimin duhet të marrin parasysh statusin e refugjatit të njohur në një shtet tjetër.

Ndalimi i kthimit përfshin edhe dorëzimin përmes procedurës së ekstradimit, ndërsa një person nuk mund të ekstradohet nëse ekzistojnë arsye serioze për të besuar se do të përballet me torturë ose trajtim tjetër të ndaluar.

UNHCR-ja thekson në udhëzime se shteti që vendos për ekstradimin mund të bëjë vlerësimin e vet, veçanërisht nëse ka rrethana të reja ose nëse konsideron se kërkesa për ekstradim lidhet me vepra të rënda penale jopolitike, por autoritetet në këtë rast duhet të shpjegojnë pse po largohen nga vlerësimi i shtetit që ka dhënë azil.

Sipas UNHCR-së, statusi i refugjatit nuk nënkupton automatikisht imunitet nga ekstradimi, me kusht që procedura që zhvillohet të mos jetë e motivuar politikisht, të garantohet një gjykim i drejtë dhe të mos ekzistojë rreziku i përndjekjes ose torturës.

Organizata të ndryshme ndërkombëtare prej vitesh kanë vënë në pah përkeqësimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Turqi, veçanërisht pas tentimit të grusht shtetit në vitin 2016.

Raportuesit specialë të OKB-së për pavarësinë e gjyqtarëve, të drejtave të njeriut dhe ndalimeve arbitrare kanë shprehur shqetësim për përdorimin shumë të gjerë të akuzave për terrorizëm në Turqi dhe mungesën e garancive procedurale në rastet politikisht të ndjeshme.

Grupi i Punës i OKB-së për Ndalimet Arbitrare, në disa raste individuale, ka konstatuar se ndalimet e kundërshtarëve politikë kanë qenë arbitrare.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch në raportet e saj thotë se Turqia e përdor gjyqësorin si instrument kundër kundërshtarëve politikë, si dhe se legjislacioni kundër terrorizmit keqpërdoret për të shtypur mospajtimin politik.

Raste të ngjashme në Serbi

Vladimir Hrle, i cili merret me mbrojtjen penale ndërkombëtare, thotë se autoritetet në Serbi, në përgjithësi, u japin më shumë peshë garancive të shtetit që kërkon ekstradimin sesa verifikimit të pavarur të rrethanave të theksuara nga mbrojtja.

“Kërkesa shqyrtohet kryesisht përmes kushteve formale dhe veprave penale të përmendura në kërkesë, ndërsa konteksti politik dhe rreziqet konkrete të kthimit shpesh mbeten të sqaruara pamjaftueshëm. Pikërisht këtu lind problemi, sepse një kërkesë e përgatitur siç duhet, në vetvete, nuk jep përgjigje në pyetjen nëse dorëzimi i atij personi është i lejueshëm”, vlerëson Hrle.

Ai shprehu shpresën se Qeveria e ardhshme, e cila ende duhet të formohet, në raste të tilla do t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave të individit dhe respektimit të konventave ndërkombëtare, në raport me marrëdhëniet dypalëshe të Beogradit zyrtar me vendet që kërkojnë ekstradim.

Aktualisht, para organeve gjyqësore në Serbi janë duke u zhvilluar disa procedura të ngjashme për kërkesa ekstradimi.

Radio Evropa e Lirë shkroi në maj të vitit 2026 për rastin e Dmitrij Lagovskit, të cilin Rusia e kërkon për krime të dyshuara ekonomike, ndërsa ai njëkohësisht rrezikon të dërgohet në front të luftës. Gjykata vendosi të lejojë ekstradimin e tij, ndërsa vendimi përfundimtar i ministrit të Drejtësisë, i cili ka kompetencën të mos e nënshkruajë vendimin për ekstradim, ende pritet të merret.

Në një rast tjetër, për të cilin ka shkruar gjithashtu REL-i, Kazakistani kërkon ekstradimin e Didar Smakhovit, ish-punonjës i kompanisë së basteve “Olimp”, për akuzat për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit, evazion fiskal, pastrim parash dhe përkatësi në një grup kriminal të organizuar.

Ai dhe mbrojtja e tij pretendojnë se përndjekja lidhet me angazhimin e tij në një shoqatë që kundërshtonte vendosjen e një operatori të vetëm dhe lënien e tregut në duart e personave të lidhur me udhëheqjen shtetërore.

Në të njëjtin rast u dënua edhe shtetasi kazak, Zhanibek Zhauirov, i cili vdiq në burg në korrik të vitit 2024.

Aktivisti bjellorus Andrej Gnjot kaloi një vit në paraburgim dhe arrest shtëpiak, ndërsa Serbia shqyrtonte kërkesën e Minskut për ekstradimin e tij për evazion të dyshuar fiskal. Mbrojtja e tij kishte përmendur angazhimin opozitar dhe rrezikun e përndjekjes politike.

Gnjot u largua nga Serbia më 31 tetor 2024, pasi masa e paraburgimit iu hoq për shkak të skadimit të afatit ligjor, pa një vendim përfundimtar gjyqësor për refuzimin e ekstradimit.

Nga ana tjetër, Serbia u kritikua nga Shtetet e Bashkuara pasi në shtator të vitit 2025 shtetasi kinez Cui Guanghai u arratis nga arresti shtëpiak. Uashingtoni kërkonte ekstradimin e tij për akuzat për përndjekjen e një artisti kinez që jeton në SHBA.

Më vonë, ai u akuzua në SHBA edhe për tentim të kontrabandimit të pajisjeve ushtarake në Kinë.

Pas arratisjes së tij, drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi Serbinë si një nga shtetet që, në vend të ekstradimit të shtetasve kinezë në SHBA, i kthen ata në Kinë.

Beogradi zyrtar, i cili gjatë 14 vjetëve të qeverisjes së SNS-së ka mbajtur lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Kinën, nuk është deklaruar lidhur me këtë rast./REL