Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është shtruar në njësi të kujdesit intensiv në një spital në Brasília pasi është diagnostikuar me bronkopneumoni.
Sipas një njoftimi mjekësor nga DF Star Hospital, 70-vjeçari u dërgua në spital herët të premten me temperaturë të lartë, të dridhura dhe rënie të nivelit të oksigjenit në gjak. Mjekët bëjnë me dije se ai po trajtohet me antibiotikë dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm në terapi intensive.
Një nga mjekët që po e ndjek, Brasil Caiado, deklaroi për gazetarët se gjendja e ish-presidentit është serioze dhe se ai pritet të qëndrojë në spital për disa ditë. Sipas tij, ndërhyrja kirurgjikale është përjashtuar për momentin.
Jair Bolsonaro, i cili drejtoi Brazil nga viti 2019 deri në vitin 2022, ka pasur disa probleme shëndetësore vitet e fundit. Shumë prej tyre lidhen me plagët e marra pas një sulmi me thikë gjatë një aktiviteti elektoral në vitin 2018.
Ai ishte shtruar gjithashtu në spital në janar të këtij viti për ekzaminime mjekësore pasi ishte rrëzuar dhe kishte goditur kokën, ndërsa në dhjetor iu nënshtrua procedurave për trajtimin e një hernie dhe lemzës së vazhdueshme.
Aktualisht, ish-presidenti po vuan një dënim me 27 vite burg për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022 ndaj presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva.
