Një i dënuar për vrasje në Australi kërkon të drejtën për të konsumuar Vegemite, kremin e famshëm australian me shije të fortë dhe të kripur. Andre McKechnie, 54 vjeç, i cili vuan dënimin e përjetshëm për vrasjen e një personi në vitet 1990, pretendon se ndalimi i Vegemite në burgjet e shtetit të Viktorias cenon të drejtën e tij për të “shijuar kulturën australiane”.

Ndalimi është në fuqi që prej vitit 2006, kur autoritetet e burgjeve në Viktoria e përjashtuan Vegemite nga lista e ushqimeve të lejuara, me argumentin se aroma e fortë mund të përdoret për të fshehur substanca të ndaluara ose përgatitjen e pijeve alkoolike artizanale. Megjithatë, McKechnie ka ngritur një padi kundër Departamentit të Drejtësisë dhe Shërbimeve Korrektuese, duke kërkuar jo vetëm heqjen e ndalimit, por edhe një deklaratë zyrtare se autoritetet nuk kanë siguruar ushqim të mjaftueshëm për mirëqenien e tij.

Rasti pritet të shqyrtohet në gjykatë vitin e ardhshëm, sipas raportimeve të agjencive AP dhe AFP. McKechnie, i cili ka vuajtur një pjesë të dënimit në Queensland përpara se të transferohej në Viktoria, këmbëngul se Vegemite është një element kyç i identitetit kulturor australian dhe se ndalimi i tij është i pajustifikueshëm. Vegemite, i krijuar në Melburn më 1923 si alternativë ndaj Marmite britanik, është kthyer ndër vite në një simbol kombëtar.

Në vitin 2022, Melburni e shpalli aromën e Vegemite pjesë “të rëndësishme” të trashëgimisë kulturore të qytetit. Por shija e tij polarizuese e ka çuar edhe në Muzeun e Ushqimeve Të Neveritshme në Suedi. Kohët e fundit, ky produkt ka qenë pjesë e një debati ndërkombëtar, kur një kafene australiane në Kanada u urdhërua të hiqte kavanozat e Vegemite nga raftet për arsye rregullatore. Ndërhyrja e kryeministrit australian Anthony Albanese e detyroi agjencinë kanadeze të tërhiqej, duke lejuar sërish shitjen e tij.