Gjenerali serb Nebojsha Pavkoviç, i dënuar me 22 vjet burg për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka udhëtuar drejt Serbisë, njoftoi kryeministri serb Gjuro Macut.
Pavkoviç, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, u shpall fajtor në vitin 2009 për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë. Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, Tribunali i Hagës ngriti aktakuzë në vitin 2003, ndërsa Pavkoviç u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në vitin 2005.
Sipas kryeministrit Macut, lirimi parakohshëm u mundësua për arsye shëndetësore, dhe Pavkoviç do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Serbi. Ai theksoi se ky akt tregon angazhimin e shtetit serb për parime humane në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kërkesa për lirimin parakohshëm ishte dorëzuar në gusht nga avokati i Pavkoviçit, Aleksandar Alleksiç, ndërsa një kërkesë e mëparshme në maj 2022 ishte refuzuar nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, për shkak të rëndësisë së krimeve dhe mungesës së rehabilitimit.
Pavkoviç bashkë me gjeneralin e policisë Sreten Llukiç u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa të tjerët si Dragolub Ojdaniç dhe Vlladimir Llazareviç me nga 15 vjet.