Dy edukatore në një çerdhe në zonën e Ankonës kanë përfunduar në prangat e policisë me akuzën e abuzimit dhe neglizhencës ndaj fëmijëve. Mediat italiane shkruajnë se sipas hetimeve të kryera deri më tani, efektivët e policisë kanë deklaruar se edukatoret kanë goditur me shpullë dhe i kanë pickuar fëmijët. Më pas i kanë tërhequr dhe i kanë mbyllur në banjë, në errësirë, për disa minuta.

Por jo vetëm kaq, pasi më vonë i kanë detyruar që të ecnin zbathur ose të qëndronin në diell pa kapele.

“Fanpage” shkruan se viktimat besohet se janë midis 3 dhe 6 vjeç. Urdhri, i lëshuar nga gjyqtari i Ankonës me kërkesë të Prokurorisë, vjen pas përfundimit të hetimeve të nisura qershorin e kaluar.

Nga hetimet rezulton se dy edukatoret kishin keqtrajtuar fëmijët nën moshën 6 vjeç, të cilët ishin nën kujdesin e tyre, duke i nënshtruar ata ndaj ‘ngacmimit sistematik fizik dhe psikologjik, në një klimë kërcënimi të vazhdueshëm’.

Sipas hetuesve, është vënë re abuzim fizik, duke përfshirë shuplaka në fytyrë dhe kokë, pickime dhe tërheqje flokësh të fëmijëve, të cilët gjithashtu dyshohet se janë shtyrë disa herë.

Përveç abuzimit fizik, dy gratë dyshohet se ishin përgjegjëse për ndëshkime poshtëruese dhe degraduese, përfshirë dhe detyrimi i tyre për të goditur veten në kokë.

Akuzat përfshijnë edhe braktisjen e fëmijëve. Dyshohet se ato i linin fëmijët pa mbikëqyrje për disa minuta.