Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në Londër, ku një punonjëse çerdheje është dënuar me tetë vite burg, pasi u shpall fajtore për dhunë sistematike ndaj 21 fëmijëve që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Roksana Lecka, 22 vjeçe, u kap nga kamerat e sigurisë duke ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj fëmijëve në çerdhen “Riverside” në Twickenham, në jugperëndim të Londrës. Pamjet filmike shfaqnin skena tronditëse, ku e reja shfaqej duke shqelmuar, goditur me grushta, pickuar dhe mbyllur gojën me forcë fëmijëve që qanin. Në një rast, ajo u pa duke goditur disa herë në fytyrë një djalë të vogël me shqelm.

Fillimisht, Lecka pranoi fajësinë për shtatë akuza për mizori ndaj të miturve, ndërsa në muajin qershor u shpall fajtore edhe për 14 akuza të tjera pas një procesi gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Kingston.

Pas zbulimit të sjelljes së saj, çerdhja ku punonte u mbyll menjëherë, ndërsa Policia Metropolitane nisi një hetim të zgjeruar, duke analizuar dhjetëra orë pamje të regjistruara nga kamerat e sigurisë në qershor të vitit 2024.

Në sallën e gjyqit u shfaqën pamjet e dhunës, duke tronditur thellësisht prindërit e fëmijëve, të cilët gulçonin nga dhimbja kur i panë për herë të parë. Në dëshmitë e tyre, ata e përshkruan Leckën si “llojin më të keq të njeriut” dhe rrëfyen se tashmë kanë humbur besimin për të lënë fëmijët në kujdesin e të tjerëve.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Sarah Plaschkes KC tha:

“Ke kryer akte të shumta dhune të paarsyeshme. Shpesh, fëmijët ishin të qetë dhe të lumtur përpara se t’u shkaktoje qëllimisht dhimbje. Sjellja jote mund të karakterizohet me të drejtë si sadiste.”

Roksana Lecka do të vuajë 8 vite burg, ndërsa autoritetet britanike kanë rritur masat e sigurisë dhe kontrollet për institucionet e kujdesit ndaj fëmijëve, pas këtij rasti të rëndë.