Bill Gates do të dëshmojë më 10 qershor para Komitetit të Kongresit Amerikan që po heton skandalin Epstein, tha sot një burim i njohur me çështjen, sipas Politico.
Bashkëthemeluesi miliarder i Microsoft do të dëshmojë me dyer të mbyllura para Komitetit, i cili planifikon t’i bëjë pyetje në lidhje me marrëdhënien e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i cili u akuzua për krime seksuale ndaj të miturve dhe vdiq në burg para gjyqit të tij.
Një zëdhënës i Gates tha se ai “mirëpret” mundësinë për të dëshmuar.
“Ndërsa ai nuk mori pjesë kurrë në asnjë nga krimet e Epstein, ai mezi pret t’u përgjigjet pyetjeve të Komitetit në mbështetje të punës së tij të rëndësishme”, tha zëdhënësi.
Në fund të shkurtit, Bill Gates tha se marrëdhënia e tij me Epstein ishte “një gabim i madh”, duke pranuar para anëtarëve të fondacionit të tij se kishte lidhje jashtëmartesore me dy gra ruse, megjithëse mohon çdo përfshirje në krimet e biznesmenit.
“Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme”, tha ai, sipas Wall Street Journal.
Sipas tij, marrëdhënia e tij me Epstein filloi në vitin 2011, tre vjet pasi biznesmeni u deklarua fajtor për nxitjen e një të miture për prostitucion.
Një email i Epstein i publikuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së pretendon lidhje jashtëmartesore të Bill Gates.
Në email, i cili duket se nuk është dërguar kurrë, Jeffrey Epstein thotë se e ndihmoi “Bill”-in të merrte ilaçe për t’u përballur me “pasojat e marrëdhënieve seksuale me vajzat ruse”.
Top Channel
