Manjati rus Umar Dzhabrailov, emri i të cilit ishte shfaqur në dosjet e lidhura me çështjen e Jeffrey Epstein, është gjetur i vdekur dhe me një plagë të shkaktuar me armë zjarri në kokë.

Lajmi është raportuar nga media ruse “Kommersant”, e cila citon burime policore që e përshkruajnë incidentin si një vetëvrasje të mundshme. Pranë trupit të 67-vjeçarit është gjetur një pistoletë Luger. Sipas të njëjtave burime, Dzhabrailov, i cili kishte tentuar vetëvrasje edhe në vitin 2020, nuk ka lënë një shënim vetëvrasjeje.

Emri i tij u rikthye në vëmendje pas publikimit të emaileve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në lidhje me hetimet për Jeffrey Epstein.

Në një email të datës 24 maj 2001, Dzhabrailov i shkruante Maxwell-it: “E dashur Ghislaine, jam kthyer nga Londra dhe planifikoj të vij në Moskë. Dua shumë të të shoh, por duhet të di saktësisht se kur do të arrish, sepse dua të kujdesem për ty dhe të bëj të gjitha rregullimet për pritjen tënde.”

Maxwell iu përgjigj një ditë më pas, duke njoftuar se ajo, Epstein dhe një person i quajtur Tom do të udhëtonin drejt Moskës javën pasuese.

Pas dënimit të Maxwell për ndihmë në abuzimin seksual të vajzave të mitura nga Epstein, Dzhabrailov kishte deklaruar publikisht: “E njihja Epstein. Ai u prezantua me mua nga Ghislaine Maxwell, një nga shpirtrat e mi binjakë. Por nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë se ato ishin partnere dhe se ajo ishte e përfshirë në gjetjen e këtyre vajzave.”

Dzhabrailov, i lindur në Çeçeni, ishte pronar i hotelit Radisson Slavyanskaya & Business Center në Moskë dhe drejtor i një kompanie që mbikëqyrte qendra tregtare ruse. Ai gjithashtu kishte shërbyer si senator në Këshillin e Federatës për Republikën e Kaukazit të Veriut nga viti 2004 deri në vitin 2009. Autoritetet ruse vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të vdekjes së tij.