Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka konfirmuar se ka pranuar dorëheqjen e këshilltarit të tij, Miroslav Lajçak, pas publikimit të disa komunikimeve që lidhen me financierin amerikan Jeffrey Epstein. Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore TASR.
Sipas Ficos, vendimi i Lajçakut për t’u larguar nga posti është një akt përgjegjësie personale dhe profesionale, që – sipas tij – dëshmon nivelin e lartë diplomatik të ish-këshilltarit. Kryeministri u shpreh se reagimet dhe kritikat e shumta ndaj kësaj çështjeje janë të mbushura me hipokrizi.
“Ka shumë kohë që nuk kam parë kaq shumë dyfytyrësi në sulmet që vijnë nga të gjitha anët. Edhe kur nuk ka asgjë serioze, mjafton çdo aludim për të nisur një linçim publik, pavarësisht se akuzat janë mohuar kategorikisht nga vetë Miro Lajçak”, deklaroi Fico.
Ai shtoi se me largimin e tij nga ky rol, Sllovakia humbet një figurë me përvojë të rrallë në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme, duke lënë të kuptohet se dorëheqja ishte më shumë pasojë e presionit publik sesa e fakteve konkrete.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi të premten se ka nisur publikimin e mbi tre milionë faqeve dokumente që lidhen me dosjen Epstein. Në materialet e bëra publike deri më tani përmenden disa emra të njohur të skenës politike dhe publike ndërkombëtare, përfshirë presidentin aktual të SHBA-së Donald Trump, ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i cili e ka mbajtur këtë post nga viti 2012 deri në vitin 2020.
Dokumentet e reja përmbajnë gjithashtu referenca që lidhen me vajza të mitura, si dhe përmendje të mundshme komunikimesh mes Robert Ficos dhe politikanit amerikan të ekstremit të djathtë, Steve Bannon.
Jeffrey Epstein i dha fund jetës në një burg në Nju Jork në vitin 2019. Hetimet ndaj tij zbuluan një rrjet të gjerë dhe të paligjshëm, i cili përdorej për rekrutimin dhe shfrytëzimin e vajzave të mitura, kryesisht për klientë të pasur dhe me ndikim.
