Tyler Robinson, është 22 vjeçari i identifikuar si personi i dyshuar për atentatin fatal ndaj komentatorit konservator amerikan Charlie Kirk, ngjarje që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi në kampusin e Universitetit të Luginës së Utah-ut, ku Kirk po zhvillonte një aktivitet publik.

Autoritetet amerikane kanë konfirmuar se Robinson është nën arrest dhe do të përballet me disa akuza të rënda, përfshirë vrasje me paramendim, përdorim të armës së zjarrit që çon në lëndime të rënda trupore dhe pengim të hetimeve. Sipas guvernatorit të Utah-ut, Spencer Cox, i dyshuari aktualisht refuzon të bashkëpunojë me hetuesit, çka ka shtuar dyshimet dhe spekulimet rreth motivit të krimit.

Hetimet kanë nxjerrë në pah një jetë të errët digjitale të Robinson. Mediat amerikane raportojnë se ai kishte një prani të dyshimtë në platformat sociale si Reddit, Discord dhe FurAffinity, ku përfshihej në komunitete me përmbajtje të çuditshme, përfshirë tema politike, identitet gjinor dhe preferenca jo të zakonshme të lidhura me kultura online “me gëzof”. Në disa nga këto forume, ai kishte shfaqur një përzierje ironie, sarkazme dhe ideologjie të majtë postmoderne, e cila po analizohen nga ekspertët e sigurisë si shenja të një radikalizimi të heshtur përmes internetit.

Ndërkohë, bashkëjetuesi dhe partneri i tij transgjinor, Lance Twiggs, thuhet se po bashkëpunon me hetuesit dhe ka ndarë mesazhe dhe komunikime të dyshuara që Robinson kishte bërë në ditët para vrasjes. Twiggs më parë ishte shprehur në rrjetet sociale me tone mbështetëse për Joe Biden dhe kishte ironizuar për gjendjen e tij mendore, duke u ankuar për reklama të targetuara rreth skizofrenisë dhe çrregullimeve të personalitetit.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe lidhjet e mundshme të Robinson me grupe të ekstremit të majtë në Utah, ndërkohë që të paktën një organizatë lokale ka fshirë papritur të gjitha rrjetet sociale menjëherë pas ngjarjes. Në vendin ku jetonte i dyshuari, fqinjët kanë raportuar prani të lartë të forcave të rendit dhe gazetarëve.

Presidenti Donald Trump, i cili kishte marrë mbështetjen e hapur të Charlie Kirk gjatë fushatës presidenciale, ka kërkuar dënim kapital për autorin nëse shpallet fajtor.

Robinson pritet të dalë për herë të parë para gjykatës ditën e martë, ndërsa pritet që prokuroria federale të marrë në konsideratë dhe akuzat e mundshme për krim të motivuar politikisht. Ngjarja ka hapur një debat të ashpër në SHBA mbi radikalizimin online, ndikimin e komuniteteve digjitale dhe mungesën e ndërhyrjes së hershme për individë me shenja të rrezikshme psikologjike apo ideologjike./NewYorkPost