Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja që shokoi Greqinë, ku një 12-vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga 53-vjeçari Ilias Michos, i cili dhe e shfrytëzonte duke i gjetur klientë të tjerë.

Përdhunuesi përdori aplikacionin Blindchat për të vepruar në mënyrë anonime dhe për të publikuar materiale të vajzës 12-vjeçare. Mediat greke shkruajnë se zbulimet për torturat e përjetuara nga 12-vjeçarja në Colonos nxjerrin në pah anën e errët të aplikacioneve të takimeve në internet dhe rolin që ato shërbejnë në mashtrimin dhe abuzimin e të miturve.

53-vjeçari dyshohet se kishte krijuar një profil me materialin e të miturës, të cilin e menaxhonte vetë dhe kishte marrë plot 213 telefonata nga klientët e mundshëm. Ai kishte postuar edhe foto nudo të 12-vjeçares në këtë llogari.

Blindchat u krijua 9 vjet më parë, konkretisht në vitin 2013, me synimin për të ofruar shërbime dhe takime për ata që dëshirojnë të takojnë njerëz të tjerë, pa u zbuluar plotësisht identiteti i tyre. Është një platformë online për biseda anonime me burra dhe gra nga e gjithë Greqia. Aplikacioni në fjalë siguron anonimitetin e përdoruesve, ndërsa u jep lirinë atyre që bisedojnë të shkëmbejnë informacione pa e ditur se kush është në anën tjetër.