Viswashkumar Ramesh, i vetmi person që mbijetoi në tragjedinë ajrore të Air India-s, ku humbën jetën 241 persona, ka hapur zemrën e tij për të ndarë dhimbjen dhe përvojat traumatike që ka përjetuar pas aksidentit.
Në një intervistë të shkurtër për BBC, 39-vjeçari, i cili u pa duke ecur mes flakëve dhe tymit nga rrënojat e avionit Boeing 787 në Ahmedabad, tha se ndihet “njeriu më me fat”, por njëkohësisht është “i thyer në shpirt”. Ai ka humbur gjithçka – përfshirë vëllain e tij, Ajay, i cili ndodhej vetëm disa vende larg tij në avion dhe nuk ka mbijetuar.
Ramesh tregon me lot në sy se ende nuk e beson që ka mbijetuar. “Jam i vetmi që shpëtova… ende nuk më besohet. Është një mrekulli. Por humba vëllain tim… ai ishte shtylla ime, njeriu që më mbështeste çdo ditë,” tha ai.
Aksidenti ajror, i cili ndodhi pas ngritjes nga pista në fluturimin me destinacion Londrën, shpërtheu në flakë vetëm disa sekonda pas ngritjes, duke shkaktuar një tragjedi që tronditi botën.
Pas kthimit në Leicester, ku jeton me familjen e tij, Ramesh ka vuajtur nga stresi post-traumatik (PTSD). Ai e pranon se nuk flet me gruan dhe djalin e tij 4-vjeçar, dhe kalon ditët i izoluar në dhomë. “Jam vetëm… nuk dua të flas me askënd. Natë për natë mendoj. Jam duke vuajtur. Çdo ditë është e dhimbshme për familjen time,” thotë ai.
Përveç traumës emocionale, Ramesh ka pësuar edhe dëmtime fizike të rënda në këmbë, shpatull, gju dhe shpinë, dhe thotë se ende ka vështirësi për të ecur. Ai nuk ka mundur të punojë as të drejtojë makinën që nga qershori, ndërsa biznesi i familjes për peshkim në Diu është mbyllur.
Mamaja e tij, sipas familjarëve, ka mbetur në gjendje të thellë shoku dhe nuk ka folur për muaj të tërë pas ngjarjes tragjike.
Ndërkohë, këshilltarët e Ramesh-it e kanë akuzuar Air India-n për dështim në ofrimin e kujdesit të duhur psikologjik dhe mbështetje financiare pas aksidentit. Kompensimi i ofruar nga Air India, prej vetëm 21,500 paund, është konsideruar nga familja si tejet i pamjaftueshëm. Po ashtu, ata kanë bërë tre kërkesa për takim me përfaqësues të kompanisë, të cilat janë refuzuar.
Hetimet për aksidentin vazhdojnë, ndërsa raporti paraprak ka zbuluar se furnizimi me karburant i motorëve të avionit u ndërpre vetëm disa sekonda pas ngritjes, duke sugjeruar një defekt teknik si shkak kryesor të tragjedisë.
